
KORÇË- Vijon që të qëndrojë i ngujuar në banesë, 71-vjeçari Edmond Naska, i cili qëlloi sot me breshëri arme në Korçë, fatmirësisht pa pasoja në njerëz. Tashmë efektivë të RENEA-s po negociojnë për neutralizimin e tij, ndërkohë që fqinjët tregojnë se në disa raste ai ishte konfliktuar me persona që parkonin përpara ballkonit të tij. Markeljan Dhimitri duke folur për mediat, tha se pasi kanë dëgjuar të shtënat janë larguar me shpejtësi nga banesa.
“Ngjarja ndodhi rreth orës 10, 10 e çerek. U dëgjuan disa të shtëna. Mora nusen dhe djalin se u trembën dhe ikëm nga shtëpia. Banojmë në të njëjtin pallat. E dija tip të qetë, nuk dilte se rrinte mbyllur. Jetoj prej 3 vitesh në këtë pallat. S’e dinim që ishte kaq i rrezikshëm, duhej të ndodhte kjo gjë. Shpresojmë që të mbyllet gjithçka mirë, që të kthehemi në shtëpi se kemi frikë. Dukej tip i qetë. Veç kur ndodhi sot ngjarja që shtiri me armë. Nuk mund të kthehemi në shtëpi. Jemi të tronditur. Kur parkonin makinat para ballkonit të tij bëhej agresiv, zihej. Me armë gjuajti në ajër ai.”, tha ai.
71-vjeçari Edmond Naska ka qëlluar me armë zjarri, tip kallashnikov në ajër nga ballkoni i ndërtesës së tij. Por fatmirësisht, nga të shtënat nuk ka persona të plagosur. Policia e Korçës ka shkuar menjëherë në banesën e tij, ku edhe ka rrethuar personin e armatosur. Prej disa minutash po zhvillohen negociata me të dhe pritet dorëzimi i tij, megjithatë deri më tani nuk dihen detaje të tjera. /ZËRI