
TIRANË- Në kulmin e zërave, për boshatisjen e plazheve të jugut në kulmin e sezonit turistik, kryeministri Edi Rama është përpjekur që të vërtetojë të kundërtën. Përmes një video që ka postuar në rrjetet sociale kreu i qeverisë tregon me pamje plazhin plot me pushues në ishullin e Sazanit.
“Mirëmëngjes dhe me një tjetër plazh të “sulmuar” nga turistët vendas e të huaj, në ishullin e Sazanit, në një sezon të jashtëzakonshëm prurjesh në Shqipëri, po edhe shpërndarjeje të turistëve në të gjithë hartën e vendit, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama, ndërkohë që nuk kanë munguar komentet, nëse ishulli i Sazanit do të jetë më i aksesueshëm, me projektin e Jared Kushner.
Ky i fundit ka në plan të ndërtojë një rezidencë luksoze në Sazan, ndërkohë që ende nuk ka detaje se kur do të nisë të zbatohet projekti. Sa i takon sezonit turistik, në këtë muaj Korrik është vënë re një ulje e numrit të të huajve që zgjedhin Shqipërinë. Sipas deklaratave të operatorëve turistikë çmimet e larta vlerësohen si një ndër arsyet se pse jugu i vendit nuk po përjeton bumin e turizmit këtë sezon veror.
Nga ana tjetër, edhe turistët nga Kosova këtë vit janë më të paktë në numër, për shkak të liberalizimit të vizave, që iu jep atyre mundësinë që të vizitojnë dhe destinacione të tjera. Shtrenjtimi i akomodimit në vend ka nxitur shumë shqiptarë, që dikur i kalonin pushimet në Jug të kërkojnë për alternativa të tjera jashtë vendit në destinacione si Greqia, Turqia, apo dhe Mali i Zi, duke shfrytëzuar ofertat ekonomike dhe shërbimet gjithëpërfshirëse. Më parë, çmimet më të lira ishin një arsye për të pushuar brenda vendit, por me shtrenjtimin e viteve të fundit, sidomos në jug si për akomodimin ashtu dhe ushqimin, nuk ka më ndonjë dallim në kosto./ZËRI