
TIRANË- Shoqata Kombëtare Shqiptare e Pasurive të Paluajtshme (NAREA) ka një kërkesë zyrtare për Parlamentin e Shqipërisë. Në kërkesën zyrtare që është depozituar pranë Kuvendit, agjentët imobilarë kërkojnë nga ligjvënësit që të miratojnë sa më parë taksën 3% të rivlerësimit të pasurive të paluajtshme. Premtimi për këtë taksë, që ende nuk ka kaluar në Kuvend, sipas agjentëve u ka bllokuar tregun.
“NAREA ka ndjekur me shumë vëmendje zhvillimet pozitive gjatë 5 viteve të fundit dhe sidomos iniciativën për mundësinë e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme me një tatim të korrigjuar në nivelin 3%. Vonesa në trajtimin parlamentar të këtij propozimi, mungesa e konkretizimit të tij dhe paqartësia për të ardhmen ka sjell efekte tepër negative në bllokimin momental të tregut. Gjatë 5 viteve të fundit, ashtu si pjesa tjetër e tregjeve, Shqipëria ka operuar në tregun e shitësit. Me zvarritjen e trajtimit të këtij propozimi, thellohet hendeku i pronave në shitje duke u tërhequr nga tregu deri në sqarimin përfundimtar të tij,”- thuhet në deklaratë.
Sot çdo shitje prone tatohet me 15%, për diferencën midis çmimit të parë dhe vlerës me të cilën shitet. Nisma është propozuar në Kuvend nga deputetja e mazhorancës Blerina Gjylameti. Kjo nismë ka synimin që t’u ofrojë qytetarëve mundësinë e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme deri me 31 qershor të vitit 2025. Nëse nisma miratohet, atëhere rivlerësimi do të bëhet kundrejt pagesës së 3% të diferencës ndërmjet vlerës së rivlerësimit dhe vlerës kontabël të regjistruar, për pasuritë e paluajtshme. Por edhe pse u paralajmërua, kjo nismë nuk është pjesë e punimeve në parlament brenda këtij sesioni./ZËRI