Aktualitet

Air Albania vihet në sekuestro, kompania e përgënjeshtron: Financat, të sigurta

Deri më tani, ende nuk dihet se sa është shuma e borxheve që ka kompania "Air Albania", megjithatë dihet se kompania nuk ka paguar detyrimin edhe pas njoftimit zyrtar.

Redaksia Zëri
Air Albania vihet në sekuestro, kompania e përgënjeshtron:
Air Albania

TIRANË- Kompania "Air Albania" është vendosur në sekuestro për shkak të borxheve të papaguara. Një shkresë e depozituar nga zyra përmbarimore "Bailiff Services Albania" në Qendrën Kombëtare të Biznesit ka zbuluar se është vendosur masa e sekuestros mbi aksionet e Air Albania, me qëllim mostjetërsimin e tyre deri në shlyerjen e borxheve. Deri më tani, ende nuk dihet se sa është shuma e borxheve që ka kompania "Air Albania", megjithatë dihet se kompania nuk ka paguar detyrimin edhe pas njoftimit zyrtar. 

WebLajm sjell një kopje të vendimit të sekuestros vendosur ndaj AirAlbania në bashkëpronësi të biznesmenit shqiptar Sinan Idrizi dhe biznesmenëve turq. Ky vendim është regjistruar nga qendra kombëtare e biznesnit më datë 14 Nëntor dhe AirAlbania është përkohësisht e “ngrirë” nga ana juridike.

Air Albania vihet në sekuestro, kompania e përgënjeshtron:

“Në bazë të nenit 517 të Kodit të Procedurës Civile, kompanisë i është komunikuar njoftimi për ekzekutimin vullnetar. Duke qenë se nga ana e palës debitore nuk është kryer asnjë veprim dhe duke qenë se afati ligjor i ekzekutimit vullnetar ka përfunduar, ekzekutimi i titullit ka kaluar në ekzekutim të detyrueshëm. Në këto kushte urdhërojmë vendosjen e sekuestros konservative mbi aksionet e palës debitore si dhe mbi të drejtat që rrjedhin nga zotërimi i tyre,”-thuhet në urdhërin e lëshuar.

Nga ana tjetër vetë kompania ka reaguar në rrjetet sociale, duke u shprehur se nuk kanë asnjë problem financiar, por ngërçi është midis "Air Albania" dhe palëve të treta. 

""Pastrojmë" pak ajrin nga lajmet e rreme: Financat tona janë të sigurta dhe bashkë bëhemi gati për sezonin e festave. Air Albania qartëson opinionin publik se gjendja financiare e kompanisë është e shëndetshme dhe çdo raportim ndryshe është ekzagjermi i një procedure private mes kompanisë dhe palëve të treta; praktikë e shpeshte në aktivitetet tregtare. Mbetemi të angazhuar për destinacione të reja, oferta të dedikuara dhe përvojë sa më komode udhëtimi, për tregun vendas dhe më gjerë,"-shkruan kompania në Facebook. 

Aktualisht, "Air Albania" ka 4 avionë në flotën e saj, të emërtuar: "Fishta", “Lasgushi”, “Migjeni” dhe “Naimi”. “Air Albania”, e themeluar në maj të vitit 2018 me qendër në Tiranë, u krijua nga partneriteti i Albcontrol dhe Turkish Airlines.

Por ky nuk është problemi i parë që kompania ka me QKB. Më 7 Shtator 2022 u kthye sërish aktive në QKB, pasi ishte me statusin 'aktivitet i pezulluar' me pretendimin se nuk i kishte deklaruar pronarët përfitues. Sipas ligjit, mosregjistrimi fillestar i të dhënave për pronarin përfitues të tij brenda 40 (dyzet) ditësh pas përfundimit të afatit të përcaktuar dënohet me gjobë në vlerën 600 000 (gjashtëqind mijë) lekë.

Air Albania u krijua në vitin 2018, si një kompani kombëtare e fluturimeve, ku shteti, përmes “Albcontrol” ka 10% të aksioneve, “MDN INVESTIMENT”, e krijuar po në vitin 2018, ka 41% të kuotave dhe “TÜRK HAVA YOLLARI A.O.” 49%. Aksionere të “MDN INVESTIMENT”, me nga 50% secila janë Najada Idrizi dhe Rejana Idrizi, sipas ekstraktit në QKB, të cilat i morën gradualisht aksionet nga Sinan Idrizi dhe Ron Yeffet përgjatë vitit 2018./Zëri.ai

Dokumenta bashkëngjitur

Poll

MOS HUMB