
DURRËS- Të afërmit e Pëllumb Metës, që dyshohet se u vra dhe u gropos nga vajza e tij, shprehen se Hygerta ka qenë një ëngjëll, dhe hedhin dyshime se ajo nuk mund të jetë autorja e vrasjes së babait të saj.
Krushku i Pëllumb Metës, është shprehur i shokuar për ngjarjen. “Kam mbetur i shokuar për ngjarjen. Ishin një familje model. Ai punonte si roje te pazari i makinave. Hygerta është një engjëll, nuk mund ta vriste dot babain e saj. Ajo nuk vriste dot një pulë, jo babain e saj”, tha krushku i Pëllumb Metës.
Po ashtu mësohet se 50-vjeçari Pëllumb Meta u vra në kasollen e bagëtive dhe me pas është varrosur në oborr. 19-vjeçarja ka deklaruar se e ka vrarë babanë me pistoletën e tij, që ai e mbante pa leje.
Autorja e vrasjes ka qenë studente e vitit të parë për Ekonomik në Tiranë, ndërkohë që babai i saj Pëllumb Meta punonte si roje, në një parking makinash, pranë zonës ku jetonte familja. Sipas dëshmive të para nga të afërm të familjes, viktima ka qenë një person autoritar dhe askush në familje nuk guxonte që ta kundërshtonte. Hygerta Meta ka deklaruar se motivi i vrasjes ka qenë nxitja prej babait, për t’u fejuar pa dëshirën e saj, si dhe konfliktet familjare që kanë patur. Policia ka arrestuar 19-vjeçaren, e dyshuar si autore e vrasjes së babait të saj, Pëllumb Meta./ZËRI