
LECCE- Ka mbyllur gojën! Kështu e nisin artikullin e tyre mediat italiane për shoferin, i cili po i jepte makinës në aksidentin, ku humbi jetën 13-vjeçarja shqiptare, Jennifer Alcani. Prokurori i çështjes, Ezio Domenico Basso, tha se 22-vjeçari nuk ka dhënë asnjë deklaratë deri më tani në lidhje me aksidentin.
Ende nuk dihet nëse i riu nga Lecco ishte nën efektin e alkoolit. Në makinë ndodheshin 3 persona, shoferi 22-vjeçar, një djalë tjetër 19 vjeç, pronar i makinës, por pa patentë dhe 13-vjeçarja Alcani. Në këtë aksident humbi jetën e mitura, ndërsa dy djemtë u plagosën lehtë.
Ata po lëviznin me shpejtësi në orët e para të 10 janarit, kjo u pa nga videot që kishin publikuar në rrjetet sociale, ku lëviznin me 150 kilometra në orë. Mediat shkruajnë se makina tip BMË u shkatërrua në gjysmën e saj të djathtë dhe në sediljen e pasme, ku qëndronte 13-vjeçarja. Ndërkohë policia ka nisur hetimet teksa shoferi 22-vjeçar po hetohet për vrasje.
Kujtojmë se Alcani humbi jetën 6 ditë pasi qëndroi në koma në spital. Dëmtimet që kishte pësuar ishin shumë të rënda. Dukej se ata po ktheheshin për ta kthyer në shtëpi vajzën, por rrugës ndodhi aksidenti tragjik. Siç shkruajnë mediat, e reja kishte ikur pa leje nga shtëpia. Të shtunën me qindra njerëz u mblodhën në Lecco dhe përcollën 13-vjeçaren në banesën e fundit. /ZËRI