
LONDËR- Qeveria Britanike ka nisur një fushatë paralajmëruese për të rinjtë shqiptarë që emigrojnë ilegalisht drejt Mbretërisë së Bashkuar. Fushata përfshin reklama digjitale që do të transmetohen gjatë muajit të ardhshëm në Shqipëri, me qëllim ndërgjegjësimin mbi rreziqet dhe shfrytëzimin që sjell trafiku i paligjshëm i njerëzve.
Një nga reklamat tregon historinë e një të riu shqiptar, i cili, pasi u mashtrua me premtime për një punë të paguar mirë, përfundoi duke u shfrytëzuar si “skllav”. Një tjetër rrëfen historinë e një emigranti i cili tregon se i kërkuan të punojë për të shlyer borxhin e udhëtimit, por jo për sa kohë i duhej të punonte.
“Më thanë se do më duhej të punoja për të shlyer borxhin e udhëtimit, por nuk më thanë sa gjatë ose sa shumë do të paguaja”, thotë i riu.
Reklamat mbyllen me mesazhin: “Përpjekja për të hyrë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar mund t’ju kushtojë gjithçka”, duke nxitur qytetarët të marrin informacion të saktë për migracionin e paligjshëm dhe pasojat e tij.

Sipas qeverisë britanike, fushata synon të luftojë “mitet dhe dezinformatat” që trafikantët përdorin për të joshur emigrantët. Në vitin 2022, një rekord prej 12 mijë shqiptarësh kaluan Kanalin e La Manshit me varka të vogla, por numri i tyre ka rënë ndjeshëm pas marrëveshjes së kthimit të shpejtë midis dy vendeve.
Bandat kriminale shqiptare përdorin rrjetet sociale, si TikTok, për të rekrutuar punëtorë në fermat e kanabisit në Mbretërinë e Bashkuar. Për të përballuar mungesën e fuqisë punëtore, këto grupe po ofrojnë 30% të fitimeve nga shitjet e drogës në rrugë, në vend të pagave fikse.
“Kjo fushatë synon të prishë modelin e biznesit të këtyre grupeve kriminale dhe të mbrojë njerëzit nga mashtrimet dhe shfrytëzimi. Duke punuar ngushtë me partnerë ndërkombëtarë si Shqipëria, ne po synojmë bandat kriminale në çdo hap, duke ndërprerë operacionet e tyre përtej kufijve dhe duke sjellë autorët para drejtësisë. Komunikimet janë një pjesë kyçe e kësaj pune, ne po iu dërgojmë një mesazh të qartë për emigrantëve se kriminelëve nuk mund t'u besohet”, tha Martin Hewitt, kreu i Komandës së Sigurisë Kufitare në Mbretërinë e Bashkuar.
Bandat shqiptare kanë arritur të dominojnë tregun britanik të kanabisit, ku bimët rriten në shtëpi apo ambiente industriale të lira duke përdorur teknologjinë hidroponike të importuar nga fermat. Në dekadën e kaluar, shqiptarët kaluan vietnamezët si furnizuesit kryesorë të kanabisit për përdoruesit në Mbretërinë e Bashkuar. /ZËRI