TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar të gjithë tregtarët që shesin prodhime bulmeti apo mishi pa faturë, aktivitet që e ushtrojnë kryesisht ata ambulantë. Në një postim në rrjetet sociale, Rama thekson se produktet e bylmetit apo mishit pa faturë përbëjnë një kërcënim direkt të shëndetit sidomos me temperaturat e larta. Sipas kryeministrit, kushdo që tregton qoftë edhe një shishe qumësht pa faturë, duke nisur nga dita e hënë, do të gjobitet.
Postimi i plotë:
STOP qumështit, mishit dhe prodhimeve të bulmetit pa faturë
Nga java e ardhshme çdo prodhim i tillë do të sekuestrohet, sepse përbën një kërcënim direkt të shëndetit sidomos me temperaturat e larta dhe subjektet tregtuese do të gjobiten skajshëm
Siguria ushqimore dhe formalizimi i të gjithë zinxhirit tregtar nga ferma në tryezë është një domosdoshmëri, e cila nuk pret më për një vend që synon të ulet në tryezën e Bashkimit Europian deri në fund të kësaj decade.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj dhe Ministri i Financave Petrit Malaj në takime ndërgjegjësuese me biznesin, për të garantuar mbrojtjen e konsumatorit dhe gjurmimin e plotë të dokumentacionit fiskal, të produkteve blegtorale por jo vetëm.