Aktualitet

Akulloret me përbërje kancerogjene, AKU i përgjigjet KLSH-së: Brenda 7 ditësh u tërhoq e gjithë sasia nga tregu

Po ashtu bën me dije se pas sekuestrimit të akulloreve, ato janë asgjesuar.

E.K
Akulloret me përbërje kancerogjene, AKU i përgjigjet
AKU

TIRANË- Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka reaguar këtë të mërkurë në lidhje me importimin e akulloreve nga Franca me prani të oksid etilenit, i cili shkakton kancer dhe leucemi. AKU bën me dije se menjëherë pas njoftimit se Shqipëria është në listën e 47 vendeve të cilat janë furnizuar me produktin akullore të prodhuar nga një kompani franceze, janë marrë masat për tërheqjen nga tregu brenda 7 ditëve të sasisë. Po ashtu bën me dije se pas sekuestrimit të akulloreve, ato janë asgjesuar.

REAGIMI:

Referuar shqetësimit të transmetuar në media me importin e produktit akullore nga Franca me prani të oksid etileni, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njofton lidhur me masat e marra në kuadër të garantimit të sigurisë ushqimore me qëllim mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve si me poshtë:

Më datë 30.07.2021 ora 11.49 PM nga sistemi RASFF informohemi se Shqipëria është në listën e 47 vendeve të cilat janë furnizuar me produktin akullore të prodhuar nga një kompani franceze, e cila përmbante “Substancën e paautorizuar oksid etileni në stabilizuesin lygomme të përdorur për prodhimin e akullores”.

Me marrjen e njoftimit, AKU kryen verifikimet e sasisë të importuar për lotet respektive të evidentuara në njoftim, si dhe kreu inspektimin në këto Operatorë të Biznesit Ushqimor me qëllim ndjekjen e gjurmueshmërisë së produktit dhe tërheqjen nga tregu dhe asgjësimin e tij.

Importet për këtë produkt sipas loteve të përcaktuara nga sistemi RASFF janë kryer gjatë periudhës nga data 01.03.2021 deri me 22.05.2021 (data para daljes së njoftimit nga sistemi RASFF me datë 31.07.2021).

Brenda periudhës 7 ditore nga marrja e njoftimit, është kryer inspektimi në subjektet respektive dhe më pas është bllokuar dhe asgjësuar e gjithë sasia e këtij produkti.

Nga ana e AKU është bërë njoftimi për konsumatorin për produktet e përcaktuara në Lot-e respektive, për moskonsumim dhe kthim mbrapsht në pikat e shitjes ku e kishin blerë.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të jetë gjithmonë në mbështetje të konsumatorit me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore. Inkurajojmë të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast, çdo tentativë abuzimi pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në [email protected] si dhe pranë portalit të bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam”. Siguria Ushqimore është një sfidë e përbashkët.

Çfarë tha një ditë më parë kreu i KLSH-së në Komisionin e Ekonomisë? 

Një ditë më parë kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu zbuloi në Komisionin e Ekonomisë dhe Veprimtarisë Prodhuese se janë konsumuar 13.2 ton akullore me oksid etileni, teksa produktet janë shitur kryesisht në: Tiranë, Durrës, Fier, Elbasan, Vlorë, Berat, Lushnje, Korçë, Shkodër, Sarandë, Krujë, Burrel, Peshkopi, Tropojë, Lezhë. 

Por çfarë ka ndodhur me akulloret?

Në gusht të vitit 2021 u dha alarmi për një sasi prej 36 ton akullore kancerogjene, të cilat deri vonë tregtoheshin edhe në Shqipëri. Në këto produkte u konstatua prania e oksid etilenit më e lartë se norma e lejuar. Pas alarmit të dhënë nga institucionet e huaja, AKU bëri me dije 11.7 ton akullore ishin shitur dhe konsumuar, ndërsa rreth 20 ton të tjera ndodheshin ende në magazinat e subjekteve importuese dhe janë asgjësuar nga AKU.

Por në 10 nëntor të të njëjtit vit, nga një auditim, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar mosveprime të Drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe ka depozituart në SPAK një kallëzim për “shpërdorim detyre”. Megjithatë, edhe pse dosja është ende në SPAK, çështja ende nuk është finalizuar nga hetuesit të Prokurorisë së Posaçme.

Oksid etileni është ndër shtatë përbërësit kryesorë të fshehur në produktet kozmetike që gjendet zakonisht gjendet në aromë dhe shampo. Kjo përbërje dihet të ketë efekte të dëmshme në shëndetin e njeriut. Administrata e Shëndetit dhe Sigurisë në Punë (OSHA) shpjegon se ekspozimi kronik shoqërohet me formimin e kancerit, efektet riprodhuese, ndryshimet mutagjene, neurotoksicitetin dhe sensibilizimin. Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin gjithashtu klasifikon oksidin etilenit si një kancerogjen./ZËRI

Poll

MOS HUMB