Aktualitet

Akuzat e PD për ilaçe të skaduara, Qendra Spitalore Universitare 'Nënë Tereza': E pavërtetë!

Në një reagim zyrtar, QSUT theksoi se pretendimet se në institucionin e tyre përdoren ilaçe të skaduara janë të pavërteta.

k.m.
Akuzat e PD për ilaçe të skaduara, Qendra Spitalore
Albana Vokshi

TIRANË- Qendra Spitalore Universitare "Nënë Teresa" ka hedhur poshtë pretendimet e Albana Vokshit, deputetes së Partisë Demokratike lidhur me ilaçet që përdoren në këtë spital. Në një reagim zyrtar, QSUT theksoi se pretendimet se në institucionin e tyre përdoren ilaçe të skaduara janë të pavërteta. Sipas QSUT, ngritja e këtyre pretendimeve të pabaza po bëhet për të dëmtuar qëllimisht punën e ekipit mjekësor në shërbim të pacientëve. Ndaj edhe janë të hapur për verifikime.

"Për terapinë ditore të pacientit, ËSHTË E BLLOKUAR DHE E PAMUNDUR të shkarkohet një medikament i skaduar. NUK EKZISTON DHE NUK KA ASNJË RAST APO MUNDËSI TË NDRYSHIMIT TË SKADENCËS SË NJË MEDIKAMENTI. Për sa i përket citimit se është mashtruar Parlamenti, në korrespondencë zyrtare QSUNT është shprehur se: "Aktualisht në Farmacinë Qendrore NUK ka sasi të medikamentit Feiba (Factor VIII inhibitor bypassing activity) 1000 UI Flakon...; Kjo, pasi sasia e mbetur prej 1137 flakon nga donacioni i përfituar për herë të parë gjatë vitit 2023, me impakt buxhetor 0 (zero) lekë, është i papërdorshëm. Qartësojmë gjithashtu se medikamenti FEIBA, nuk është kemiopreparat,"-shkruhet ndër të terja në sqarimin e bërë nga QSUT.

Dje, në një deklaratë për shtyp nga selia blu, Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi pretendoi se ish-drejtoresha e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Albana Fico se ka ndërhyrë në sistem për të fshirë përkohësisht datën e skadencës të një medikamenti. Në një deklaratë për shtyp nga selia e Partisë Demokratike, Vokshi tha se bëhet fjalë për një sasi prej 1137 flakonë të medikamentit FEIBA që përdoret për pacientë me hemofili. Sipas Vokshit, kjo sasi e këtij medikamenti ka pasur datën e skadencës 31 dhjetor 2023, por që me urdhër të Ficos janë dhënë direktiva që kjo sasi e mbetur e barit FEIBA të kalonte në shërbimin Onkohematologji pediatrike, pasi drejtori Rigers Haxhiraj t’i ndryshonte datën e skadencës.

REAGIMI ZYRTAR I QSUT:

Njoftojmë të gjithë qytetarët se lajmet e fundit të publikuara nga disa media për cilësinë e medikamenteve të përdorura në QSUT, janë të PAVËRTETA! NË QSUT NUK PËRDOREN ILAÇE TË SKADUARA! Ato që janë servirur si "dokumente" dhe "prova" kanë të bëjnë me procesin e menaxhimit administrativ, dhe NUK kanë të bëjnë në asnjë rast me lëvizjen fizike të sasisë gjendje të medikamenteve të magazinuara dhe aq më tepër për përdorimin e tyre për pacientët. KJO ËSHTË LEHTËSISHT E PROVUESHME në Farmacinë e Spitalit! Ngritja e këtyre pretendimeve të pabaza, PO DËMTON QËLLIMISHT punën e ekipit mjekësor në shërbim të pacientëve! Sqarojmë se në sistemin elektronik SISP, lëvizja e medikamenteve në të gjitha nivelet, nga Farmacia Qendrore deri në nivel pacienti, bëhet vetëm brenda vlefshmërisë (skadencës) së medikamentit, dhe pas këtij afati, çdo lëvizje bllokohet automatikisht nga sistemi në të gjitha nivelet. Theksojmë që për terapinë ditore të pacientit, ËSHTË E BLLOKUAR DHE E PAMUNDUR të shkarkohet një medikament i skaduar. NUK EKZISTON DHE NUK KA ASNJË RAST APO MUNDËSI TË NDRYSHIMIT TË SKADENCËS SË NJË MEDIKAMENTI. Në lidhje me rastin e pretenduar theksojmë se për nevoja administrative, me qëllim diferencimin e medikamentit të skaduar është kërkuar transferimi i sasisë së medikamentit të skaduar nga një magazinë në tjetrën. Kjo për arsye se medikamenti i skaduar fizikisht duhet zhvendosur në karantinën e përcaktuar për ruajtjen e medikamenteve të skaduara, sipas rregullave në fuqi. Kjo procedurë po përdoret në mënyrë spekulative si rast ku këto ilaçe janë përdorur për pacientët. Sigurojmë se kjo gjë nuk ka ndodhur dhe se sasia stok e medikamenteve të skaduara është e pandryshuar. Nëse do ishte përdorur, do kishte ndryshim të gjendjes stok, çka provon se ky pretendim i hedhur qëllimisht në media është dezinformues. Veprimet në sistem bëhen kryesisht pas orës 16.00 me qëllim shmangien e lëvizjes së tyre gabimisht nga përdorues në nivelet e tjera (përgjegjës te farmacive spitalore ose kryeinfermier të pavijoneve) që operojnë në sistem deri në orën 16.00. Për sa i përket citimit se është mashtruar Parlamenti, në korrespondencë zyrtare QSUNT është shprehur se: "Aktualisht në Farmacinë Qendrore NUK ka sasi të medikamentit Feiba (Factor VIII inhibitor bypassing activity) 1000 UI Flakon...; Kjo, pasi sasia e mbetur prej 1137 flakon nga donacioni i përfituar për herë të parë gjatë vitit 2023, me impakt buxhetor 0 (zero) lekë, është i papërdorshëm. Qartësojmë gjithashtu se medikamenti FEIBA, nuk është kemiopreparat. QSU ‘Nënë Tereza’, mbetet e hapur për qartësimin e çdo pretendimi siç u deklarua edhe në Komision parlamentar si dhe për transparencën e nevojshme që i shërben besimit mjek/pacient./ZËRI

Poll

MOS HUMB