Aktualitet

Alba Thoma, ‘truri’ i Klodian Zotos në Ministrinë e Mjedisit, i çonte forward email-et me institucionet e tjera

Alba Thoma, drejtoresha juridike në Ministrinë e Mjedisit, ishte personi që përpilonte të gjitha shkresat në shërbim të kompanisë së Klodian Zotos dhe e njoftonte atë përmes emailit

E.K
Alba Thoma, ‘truri’ i Klodian Zotos në Ministrinë e
Alba Thoma dhe Klodian Zoto

TIRANË- Në listën e njerëzve që kanë shërbyer për Klodian Zoton, në Ministrinë e Mjedisit është dhe shtetasja Alba Thoma, drejtoreshë e zyrës juridike. Në dosjen e SPAK siguruar nga ZËRI, emri i Thomës përmendet në një sërë episodesh, sesi ajo përpilonte dokumentet që i duheshin Zotos dhe komunikonte me ministritë e tjera në shërbim të tij.

Alba Thoma ka deklaruar se komunikimet me Zoto i bënte pasi ishte këshilluar për këtë nga sekretari në Ministrinë e Mjedisit, Alqi Bllako, dhe lidhjet ishin krijuar që në kohën kur ishte projektuar inceneratori i Elbasanit.

Po ashtu një tjetër emër që përdoret në dosje është ai i Valbona Ballgjinit, drejtoreshë në Ministrinë e Mjedisit dhe njëherësh Kryetare e Komisionit për dhënien e koncensionit. Ballgjini ka komunikime me Zoton, ku i jep atij konsulencë juridike për ndjekjen e procedurës së dhënies së koncensionit.

“Shoqëria holandeze Integrated Energy nuk është nisur në rrugë zyrtare dokumentacioni i kërkuar nga Ministria e Mjedisit, sipas shkresës së datës 28 Qershor 2016. Ky dokumentacion është nisur nga shtetasi Klodian Zoto përmes adresae të emailit privat te Valbona Balgjini dhe Alba Thoma”, thuhet në dosjen e GJKKO.

Në dosjen e siguruar nga ZËRI përmenden disa mbledhje të Komisionit për dhënien e Koncensionit, si dhe një sërë vërejtjesh që kanë pasur disa ministri, duke nisur nga ajo e Financave që drejtohej nga Shkëlqim Cani, te Drejtësia që drejtohej nga Ylli Manjani, apo te Ministria për Marrëdhëniet me Parlamentin që drejtohej nga Ermonela Felaj.

Alba Thoma është dhe personi që ka konceptuar bonusin 8% për ti dhënë kompanisë së Klodian Zotos, duke qenë se ishin propozuesit e ofertës së pakërkuar. Edhe pse kompania e Klodian Zotos nuk ka qenë e regjistruar në QKB, kjo nuk e ka penguar Ministrinë e Mjedisit dhe Komisionin për dhënien e koncensioneve që ti jepte bonus ‘Integrated Technology’. Ermonela Felaj e theksonte regjistrimin në QKB, në disa shkresa të saj, por vite më vonë deputeten socialiste e kemi parë të jetë flamurtare të dobisë së koncensioneve.

Regjistrimi në QKB i kompanisë së Zotos vjen vetën në Gusht të vitit 2017!

Edhe shkresa që i është dërguar sekretarit të këshillit të ministrave, Ëngjëll Agaçi, është konceptuar nga Alba Thoma.

“Me shkresën nr.5474/15 Ministria e Mjedisit ka dërguar për shqyrtim dhe miratim projektvendimin pranë sekretarit të përgjithshëm të këshillit të ministrave. Ky projektvendim është konceptuar nga drejtoresha juridike e Ministrisë së Mjedisit, Alba Thoma, miratuar nga Alqi Bllako, dhe firmosur nga Lefter Koka”, thuhet më tej në dosjen e siguruar nga ZËRI.

Vendimi për miratimin e bonusit 8% për kompaninë e Zotos është firmosur nga vetë kryeministri Edi Rama në datën 7 Dhjetor 2016.

Një shkëmbim shkresash që ka pasur me Ministrinë e Financave, me drejtoreshën Alda Klosi, Alba Thoma është përballur me vërejtje të tryre sa i takon efekteve që do të kishte koncensioni në buxhetin e shtetit. Të gjithë këto shqetësime që kishte Ministria e Financave, Alba Thoma ia kalonte për dijeni Klodian Zotos.

Ajo e kalonte komunikimin zyrtar që kishte me Klosin përmes emailit të ministrisë, në emailin e saj privat dhe më pas ia dërgonte Zotos. Në kompjuterin e Zotos, i cili është zbërthyer nga SPAK, janë emailet që i dërgonte Forwoard, Alba Thoma.

Pjesë nga shkëmbimi i emaileve mes Alda Klosit dhe Alba Thomës

Klosi: Të lutem shikoje me vëmendje këtë shkresë, pasi në relacionin e bonusit keni thënë që nuk do të ketë efekte shtesë në buxhetin e shtetit. Në këndvështrimin tonë ka një mospërputhje të cilën duhet që ta qartësosh. Do të të nis edhe komentet e bëra nga Drejtoria e Analizës Buxhetore, flm Alda.

Thoma: Alda nuk kemi të bëjmë me efekte shtesë në kuptimin e mirëfilltë të tyre pasi nuk do ti akordohen lekët MM por Bashkisë Tiranë, si pjesë e grantit që ato do të marrin nga qeveria qenfdrore për realizimin e detyrimeve të saj. Kjo është arsyeja që nuk kemi parashikuar në tavanet tona buxhetore. Gjithsesi prandaj jua kemi përcjellë për miratim procedurën, pasi qeveria qendrore do ti akordojë Bashkisë për fondet për depozitimin e mbetjeve në impiant si dhe për të mbuluar kostot e shpronësimit. Nga ana tjetër të kujtoj se VKM për bonusin është miratuar tashmë dhe për vazhdimin e procedurave koncensionare mbetet vetëm miratimi juaj. Flm, Alba.

Klosi: Flm Alba, të lutem jam në pritje të dërgimit të planit të biznesit i cili mungon në projektin e përcjellë. Kam folur dhe me Bledin por akoma nuk ka ardhur materiali. Flm Alda.

Thoma: Përshëndetje Alba, bashkëlidhur janë dokumentet e përpunuar mbi bazën e bisedës sonë. Ndërhyrjet janë me të kuqe. Gjithashtu bashkëlidhur edhe plani i biznesit. Flm Alba.

Emailin me dokumentet që kërkonte ministria e Financave, Alba Thoma ia ka dërguar nga emaili i saj personal shtetasit Klodian Zoto, të cilit i shkruan bashkëngjitur: Siç ke komunikuar me Alqin, të lutem një përgjigje për emailin më poshtë!

Duket se Thoma ka qenë pikërisht truri i Zotos në Ministrinë e Mjedisit, me bekimin apo porosinë e Alqi Bllakos!

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB