Aktualitet

Amerikani kapet me "kërpudha magjike", Policia i vë prangat

32-vjeçari është kapur në zonën e parkut të liqenit Artificial të Tiranës.

k.m.
Amerikani kapet me "kërpudha magjike", Policia i vë prangat
Kërpudhat

TIRANË- Një shtetas amerikan është vendosur në pranga nga Policia e Tiranës, pasi është kapur me "kërpudha magjike" dhe kanabis. 32-vjeçari është kapur në zonën e parkut të liqenit Artificial të Tiranës, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij i janë gjetur edhe lëndët narkotike.

Por çfarë janë "kërpudhat magjike"?

Kërpudhat psilocybin, të njohura zakonisht si kërpudha magjike ose kërpudha, janë një grup joformal polifiletik i kërpudhave që përmbajnë psilocybin, i cili kthehet në psilocin pas gëlltitjes. Psilocibin mund të përmirësojë simptomat e depresionit të rëndë deri në 12 javë. Një tabletë 25mg psilocibine i vendos pacientët në gjendje thuajse ëndrrash, që do të bënte që terapia psikologjike të kishte shanse shumë më të mira suksesi. Kërpudhat magjike njihej prej shekujsh në Amerikën e Jugut për efektet e tyre haluçinogjenike ose “udhëtimet me mendje”.

NJOFTIMI I PLOTË:

DVP Tiranë

Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, operacioni policor i koduar "Shrooms". Sekuestrohen sasi lënde të dyshuara narkotike kanabis dhe psilocybin (kërpudha magjike). Arrestohet në flagrancë poseduesi i tyre.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, të mbështetura nga inteligjenca operative, kanë organizuar në drejtimin e Prokurorisë, operacionin policor të koduar "Shrooms". Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi amerikan A. U., 32 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".

Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në parkun e liqenit artificial të Tiranës, shtetasin e lartpërmendur, të cilit gjatë kontrollit fizik dhe të banesës, i gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, lëndë të dyshuar narkotike kanabis dhe psilocybin (kërpudha magjike). Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./ZËRI

Poll

MOS HUMB