TIRANË- Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë anuloi procedurën e koncesionit me objekt “Projektim, ndërtim, operim, mirëmbajtje, rehabilitim dhe transferim i segmentit rrugor “Milot-Balldre” nën argumentin se asnjë ofertë nuk përmbushte kërkesat. Njoftimi i publikuar këtë të hënë në buletinin e APP vlerëson se njoftimi për operatorët që morën pjesë në këtë fazë të parë është bërë në datë 19 qershor.
Ftesa për koncesionin u bë në fund të vitit të shkuar ndërkohë që u mbyll në 10 mars. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për disa muaj shqyrtim aplikimet e dorëzuara nga disa kompani por në fund vendosi anulimin. Vlera e koncesionit sipas publikimit të procedurës ishte 364 milionë euro pa TVSH për një kohëzgjatje kontrate 35 vjet.
“Gjurma e propozuar e rrugës “Milot-Balldre” fillon në nyjen e Milotit, ku do të lidhet me segmentet e tjera rrugore Milot-Thumanë-Kashar-Lekaj dhe me Rrugën e Kombit, dhe do të përfundojë në rrugën ekzistuese Tiranë –Shkodër, në Balldre” thuhet në dokumentin e MIE.
Në dokumentet ministrisë sqarohet se segmenti ekzistues i rrugës që shërben për drejtimin nga Miloti në Balldre dhe zonat përreth, është me dy drejtime (vajtje-ardhje). Rruga ekzistues ka një gjatësi më të madhe nga propozimi i ri, parametra teknik të lëvizjes në këtë rrugë janë të një niveli shumë të ulët.
Kjo rrugë kalon nëpër qytetin e Lezhës, me trafik shumë të rënduar dhe rrjedhimisht, ka kohë më të gjatë udhëtimi dhe konsum më të madh karburanti etj. Seksionet e rrugës ekzistuese funksionojnë brenda kapacitetit të tyre, por në periudha të ndryshme sidomos gjatë sezonit veror mbingarkohet jashtë kapacitetit, si efekt i frekuentimit të plazheve që ndodhen në këtë zonë (plazhi i Shëngjinit, plazhi i Tales, plazhi i Velipojës) dhe portit të Shëngjinit.
“Sipas parashikimit të kërkesës së trafikut, kapaciteti do të tejkalohet së shpejti, duke rritur numrin e automjeteve në qarkullim, duke sjell pamundësinë e përballimit te këtij kapaciteti nga rruga ekzistuese. Autostrada e re do të shtrihet nga Miloti në Balldre, si vazhdim i autostradës Kashar-ThumanëMilot, duke përmirësuar këtë pjesë nga rrugë kategoria “C” në autostradë të kategorisë “A”.
Aksi Milot-Balldre që parashikohet në këtë studim është i gjatë rreth 17 km. Seksioni i propozuar plotëson karakteristikat e një autostrade të kategorisë A.
Ky aks do të ketë një karrexhatë dyfishe me nga dy korsi, me një ndarëse korsish dhe korsi të emergjencës, bankine, tunel me dy tuba, vepra arti të mëdha mbi lumin Mat dhe lumin Drin, vepra arti të vogla, rrugët paralele të kategorisë F2, nyjet në disnivel bashkë me rrugët lidhëse, rrugë alternative pa pagesë të kategorisë “C” në një distancë jo më pak se 1 km nga aksi kryesor, si dhe operimin dhe mirëmbajtjen e Infrastrukturës së Operimit përfshirë kabinat, sistemin e portave të automatizuara për lejimin e hyrje daljeve në Rrugë, sensorët e trafikut dhe elementet e tjera matëse, sistemin elektronik për mbledhjen e Tarifave dhe të monitorimit të trafikut, serverat e nevojshëm për mbajtjen dhe përpunimin e të dhënave të trafikut dhe të arkëtimeve përkatëse, si dhe çdo element tjetër të nevojshëm për realizimin e shërbimit të mundësimit të aksesit në Rrugë të Përdoruesve, arkëtimin e Tarifës, kontrollin e trafikut dhe ofrimin e ndihmës për Përdoruesit, parandalimin e shkeljeve, duke përfshirë reagimin në rast ndërhyrjesh urgjente” thuhet në dokument./Monitor