
VLORË- Një 36-vjeçar është vënë në pranga pasi akuzohet për ngjarjen e ndodhur në janar të këtij viti në Vlorë ku mbeti i plagosur Sildi Velaj. 36-vjeçari në bashkëpunim me një person tjetër, Qerim Bello ka qëlluar me armë në drejtim të një lokali. Për pasojë, Sildi Velaj mori tre plumba dhe u dërgua për mjekim në spitalin e Traumës në Tiranë. I plagosuri në momentin e ngjarjes ka qenë duke luajtur letra në brendësi të lokalit me disa shokë. Sherri mes tyre mendohet të ketë nisur disa ditë më parë për motive banale.
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit ekzekutuan urdhrin e Prokurorit, për shtetasin në kërkim E. B., 36 vjeç, banues në Orikum, pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasje në rrethana cilësuese”, kryer në bashkëpunim dhe mbetur në tentativë, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin Q. B., më datë 26.01.2025, në Orikum, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të disa personave që ndodheshin në një lokal, ku si pasojë mbeti i plagosur shtetasi S. V..