
TIRANË- Ben Sula, një person i skeduar dhe më herët në fushën e vjedhjes, është vënë në prangat e policisë së Kavajës. 47-vjeçari në harkun kohor të një dite, ka vjedhur shuma parash në 3 banesa të ndryshme, nga të cilar ka marrë 30 000 lekë, 100 000 lekë, 7000 euro dhe 3000 dollarë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një shumë parash, 3 ora dore, 2 m fitil zjarr përcjellës dhe sende të tjera të dyshuara të vjedhura, si dhe doreza, kapuç, gërshërë, automjet dhe veshje që dyshohet se përdoreshin nga Ben Sula gjatë kryerjes së vjedhjeve.
Sula ka qenë i arrestuar për grabitje të ndodhura në qytetin e Sarandës në vitin 2022, ndërsa tashmë kishte shfrytëzuar natën e Krishtlindjeve për të vjedhur.
Ai ka qenë i dënuar më parë me 10 vite burg në Itali dhe Greqi po për vjedhje.
NJOFTIMI I POLICISË:
Vodhi në të njëjtën ditë, shuma parash, në 3 banesa, kapet dhe vihet në pranga 47-vjeçari, i dënuar më parë, për të njëjtën veprimtari kriminale.
Sekuestrohen para dhe sende të dyshuara të vjedhura, si dhe sende të tjera që përdoreshin gjatë vjedhjeve.
Si rezultat i hetimeve profesionale dhe intensive, të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, autorin e disa vjedhjeve të kryera në Golem, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë, në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, kapën dhe vunë në pranga shtetasin B. S., 47 vjeç, banues në Rrogozhinë.
Gjykata e Durrësit i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi nga hetimet rezultoi se më datë 24.12.2023, ka vjedhur në 3 banesa në Golem, shumat 30 000 lekë, 100 000 lekë, 7000 euro dhe 3000 dollarë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një shumë parash, 3 ora dore, 2 m fitil zjarrpërcjellës dhe sende të tjera të dyshuara të vjedhura, si dhe doreza, kapuç, gërshërë, automjet dhe veshje që dyshohet se përdoreshin nga shtetasi B. S., gjatë kryerjes së vjedhjeve.
Po hetohet për të provuar ligjërisht vjedhje të tjera që mund të ketë kryer 47-vjeçari.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
/ZËRI