
TIRANË- Eksplorimi në male ka qenë fatal për një alpinist nga Kosova. Në zonën e Alpeve, në vendin e quajtur “Maja e thatë” mbi Valbonë është rrëzuar një alpinist nga Kosova dhe ka humbur jetën në një terren të thepisur dhe shkëmbor. Sipas informacioneve paraprake, nuk mund të ndërhyhet as në rrugë tokësore dhe as me helikopter, përveç nga alpinistë të certifikuar që varen me litar për nxjerrjen e trupit të pajetë. Për këtë është njoftuar grupi i Alpinistëve nga Kosova.
"Më datë 26.07.2024, rreth orës 17:10, Salla Operative e Komisariatit të Policisë Tropojë ka marrë njoftim se 1 shtetas kosovar, në vendin e quajtur "Maja e Thatë", Valbonë, dyshohet se për shkak të terrenit të thepisur malor, ka rënë nga një lartësi dhe dyshohet se ka humbur jetën.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, janë nisur drejt adresës së dhënë, së bashku me grupin e Emergjencave Civile të Tropojës.
Për shkak të terrenit të thepisur malor është kërkuar ndërhyrja me helikopterin e Ministrisë së Mbrojtjes, për të lokalizuar dhe nxjerrë trupin e pajetë të shtetasit kosovar nga zona ku ka rënë", njofton policia.
Ndërkohë pesë turistë gjermanë kishin humbur rrugën dhe ishin bllokuar me automjet, gjatë eksplorimit në mal, për shkak të terrenit të papërshtatshëm për qarkullim me automjet. Kanë qenë efektivët e komisariatit nuëmr 1 në kryeqytet që iu kanë ardhur në ndihmë dhe i kanë kthyer sërish në Tiranë. Policia thotë se ka marrë njoftim sot rreth orës 8 të mëngjesit dhe ka organizuar puën për vendodhjen e turistëve dhe më pas i kanë konstatuar në një zonë me terren malor nga ku dhe i kanë transportuar.
"Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, i vijnë në ndihmë 5 turistëve nga Gjermania, të cilët kishin humbur rrugën dhe ishin bllokuar me automjet, gjatë eksplorimit në mal, për shkak të terrenit të papërshtatshëm për qarkullim me automjet.
Sot rreth orës 08:00, është marrë njoftim se 5 turistë nga Gjermania, kishin humbur rrugën gjatë eksplorimit në fshatin Përcëllesh, dhe si pasojë kishin mbetur të bllokuar, me automjetin e tyre, për shkak të terrenit. Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, kanë organizuar punën dhe iu kanë shkuar në ndihmë turistëve.
Turistët kanë falënderuar punonjësit e Policisë për gatishmërinë e treguar dhe për ndihmën e ofruar. Policia e Tiranës është e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve dhe vizitorëve, dhe i fton ata që për çdo problematikë që mund të hasin, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112", thuhet në njoftim. /ZËRI