
TIRANË- Kryegjyshi Botëror i Bektashizmit, Haxhi Dede Edmond Brahimaj ka deklaruar se është kundër projektligjit të Ministrisë së Shëndetësisë “Për shëndetin seksual dhe riprodhues”. Projektligj që ka si qëllim garantimin e të drejtave seksuale dhe riprodhuese të individëve. Në një intervistë për “Fax News”, baba Mondi shprehet se projektligji në fjalë është në kundërshtim me të gjitha rregullat njerëzore.
Sipas Kryegjyshit Botëror të Bektashizmit, projektligji nuk është konsultuar me komunitetet fetare ndërsa shton se është marrë copy-paste nga Portugalia. Ai shprehet se ky projekligj, kundërshtohet nga komunitetet fetare me argumente njerëzore, shpirtërore dhe shkencore.
Haxhi Dede Edmond Brahimaj: Ky projektligj është në kundërshtim me rregullat njerëzore. Ata nuk janë konsultuar me ne për këtë projektligj. Komunitetet fetare bëmë një mbledhje për të kundërshtuar këtë projektligj me rregulla njerëzore dhe libra të shenjtë. Projektligji është copy paste nga Portugalia. Projektligji është rast i rëndë që i vjen shoqërisë, që është çorientouar në këto 50 vitet e fundit. Projektligji kundërshtohet nga komunitetet fetare me argumente njerëzore, shpirtërore dhe shkencore./ZËRI