
TIRANË- Kjo grua është vetëm një nga qindra qytetarë që presin drejtësi, është vetëm një fletë në dosjen që pret të merret në shqyrtim nga SPAK. Zonja, nënë e dy fëmijëve trokiti në dyert e ZËRI-t, pasi askush nuk i dha zgjidhje kur për 1 milion lekë është e detyruar të paguajë 7 milion lekë të vjetra në një prej institucioneve mikrofinanciare. Ajo ka vonuar vetëm një këst dhe për këtë arsye, çështja ka kaluar në studio ligjore. Tashmë, CLO Legal Solution i kërkon të shlyejë përnjëherë katërfishin e vlerës që është financuar.
Ndaj, qytetarja përmes ZËRI-t bën apel për mbylljen e këtyre institucioneve. Dëshpërimi i qytetarëve arrin deri në pikën që e shohin si mundësi edhe largimin nga vendi. Në mesazhet e dërguara drejt gazetares së ZËRI-t, zonja në fjalë tregon se vlera është shtuar akoma më shumë duke qenë se nga shkurti kanë kaluar edhe dy muaj të tjerë. Qytetarja na ka vënë në dispozicion edhe mesazhet që i shkruhen në WhatsApp.
Këto zyra përmbarimore nuk njohin rrugë zyrtare dhe as prezantim. Kush janë këta persona që kanë guximin që të telefonojnë çdo qytetar e tu kërkojnë paratë e shifra që konsiderojnë ata të arsyeshme, bazuar në ligje që njohin veç ata, por që nuk kanë guximin as të prezantohen?
Tashmë SPAK do të regjistrojë një dosje penale, që siç ZËRI e ka njoftuar dhe paralajmëruar shumë kohë më parë, do të jetë çmontimi i një prej skemave piramidale më të mëdha që ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri. Në këtë rast, nuk kemi të bëjmë vetëm me një proces abuziv, por me veprime që i përmbajnë të gjitha elementët e një grupi të strukturuar kriminal, ku të përfshirë janë MCA, Final, Fondi Besa dhe dhjetra përmbarues.