Aktualitet

Banorëve u marrin tokat për parqe fotovoltaike: Nuk po pyetet askush, s'kemi ku kullosim bagëtitë

Sipas tyre marrja e vazhdueshme e tokave po redukton ndjeshëm hapësirat për blegtori, duke rrezikuar drejtpërdrejt jetesën e familjeve që varen nga kjo veprimtari.

F.I
Banorëve u marrin tokat për parqe fotovoltaike: Nuk po pyetet askush,
pamje nga Këshilli Bashkiak

BULQIZË-Banorët e Gjoricës së Poshtme në Bulqizë 'mësynë' sot në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, duke kundërshtuar dhënien e kullotave dhe sipërfaqeve pyjore që pritet të jepen në ankand për ndërtimin e impianteve fotovoltaike. Konkretisht Bashkia ka miratuar kalimin e tokave me sipërfaqe 42.5 hektarë për projekti ‘Gjorica Solar Park’.

Banorët kundërshtuan dhënien e sipërfaqeve, duke argumentuar se bëhet fjalë për toka të përbashkëta të përdorura prej vitesh si kullota. Sipas tyre marrja e vazhdueshme e tokave po redukton ndjeshëm hapësirat për blegtori, duke rrezikuar drejtpërdrejt jetesën e familjeve që varen nga kjo veprimtari.

Ata pretendojnë se nuk janë zhvilluar dëgjesa me ta dhe kërkuan edhe listën e personave të pranishëm në dëgjesën e parë me pretendimin se mund të mos jenë të zonës. Banorët u shprehën kundër çdo vendimi që parashikon dhënien në përdorim të këtyre tokave për ndërtimin e impianteve fotovoltaike.

“Ne duam të dimë kush ka qenë në dëgjesën e parë që këta thonë se kanë zhvilluar. Duam emrat, të dimë nëse janë banorë të kësaj zone apo ndonjë qyteti tjetër, Kukës a Tiranë, a Elbasan. Ne do të biem blegtoritë në këtë mikroparlament”- u shpreh njëri prej banorëve.

“Nëse na merren tokat, nuk kemi ku kullosim bagëtitë. Toka asokohe u la e përbashkët për të gjithë katundin. Si e marrin pa patur asnjë bazë? Ne nuk i lëmë, do shkojmë edhe tek kryeministri. Do bashkohemi të gjithë që kemi probleme të tilla”- shtoi një tjetër banor i pranishëm në sallë.

Procedurat në terren për projekti 'Solar Park Gjorica' nisën në fund të vitit 2023, ndërsa në gusht të 2025 Enti Rregullator i Energjisë miratoi nisjen e procedurës për licencim kompanisë “Infotelecom-Albsolar 4” shpk për impiantin në rrugën “Gjorica e Poshtme”, Njësia Administrative Gjoricë, Bashkia Bulqizë. 

Poll

MOS HUMB