Politikë

Berisha dhe Malltezi sfidojnë SPAK-un, shfaqen në intervistë për median italiane: Jemi të arrestuar politikë

Berisha shprehet se arrestimi i tij është politik, pasi Rama ka frikë nga rikthimi i tij

E.K

Berisha dhe Malltezi sfidojnë SPAK-un, shfaqen në intervistë

TIRANË- Edhe pse e kanë të ndaluar që të takohen me persona jashtë familjes së tyre, për shkak të masës së arrestit, Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi, janë shfaqur në një intervistë me gazetarët e RAI3, në emisionin investigativ Report. Ish-kryeministri dhe dhëndri i tij janë shfaqur në intervistë në të njëtën banesë, duke sfiduar kështu në mënyrë të hapur institucionet e drejtësisë në vendin tonë.

Gjatë fjalës së tij në këtë emision, Berisha tha se po mbahet nën arrest politik, ndërsa përsëriti akuzat që ka bërë edhe në mediat shqiptare, që qeveria Rama është e korruptuar. Berisha shton për median italiane, se Rama ka frikë nga rikthimi i tij, dhe për këtë shkak përmes organeve të drejtësisë, që kontrollohen prej tij, i ka kufizua lirinë.

“Po. Jam në një arrest shtëpie për proces totalisht politik. Unë nuk jam i akuzuar për korrupsion, por jam vënë nën hetim, por për arsye politike, për frikën që Edi Rama ka nga rikthimi Sali Berishës dhe që ka adoptuar këto masa”, shprehet ish-kryeministri Sali Berisha.

Në këtë emision, Berisha flet dhe për marrëveshjen e emigrantëve mes Ramës dhe Melonit, për të cilën është shprehur se ka qenë kundër që në fillim. Megjithatë vetë Berisha është shprehur kundër dërgimit të kësaj çështje në Gjykatën Kushtetuese, kur kjo diskutohej në forumet drejtuese të Partisë Demokratike.

“E kam kundërshtuar këtë marrëveshje për problemin e të drejtave të njeriut. Nuk mund të pranosh që policë shqiptarë apo italianë janë gardianë të të drejtave të njeriut. Jo. Këto kampe duhet të ishin mbikëqyrur nga parlamentar, nga OKB-ja… Qeveria ime nuk do ta pranojë këtë marrëveshje. Ndoshta qeveria italiane nuk është e lumtur me këtë, por kjo duhet sqaruar”, thotë Berisha ndër të tjera, në dokumentarin investigativ të zhvilluar nga media shtetërore italiane, RAI 3, lidhur me marrëveshjen për emigrantët mes Shqipërisë dhe Italisë.


/ZËRI 

Poll

MOS HUMB