TIRANË- Këngëtarja Bleona Qereti njoftoi depozitimin e një padie në Gjykatën e Lartë të Nju Jorkut, Konteja Queens, kundër aktivistes shqiptaro-amerikane Evi Kokalarit. Qereti kërkon nga aktivistja një dëmshpërblim prej 2 milionë dollarë. Ndërkohë, nuk ka vonuar shumë edhe reagimi i Kokalarit, e cila thotë se me këtë padi, është kengëtarja e cila synon t'i dëmtojë imazhin. Në reagim, Kokalari bën me dije se mund të nxjerrë dëshmitar individë që janë emra të njohur në Shqipëri, të cilët mund të përgënjeshtrojnë padinë.
Reagimi i plotë i Evi Kokalarit:
“Deklarata për shtyp që paditësja i ka nisur medias Shqiptare sot, është absurditet sidomos kur zgjedhë copëzat të saj thjeshtë për të dëmtuar figurën time, ndërkohë që për dëmtim figure më akuzon në këtë padi.
Nuk di nëse duhet ta quaj tragjedi sociale këtë fenomen, ku individë të fushës së artit aludojnë se jemi ne të politikës që po ju dëmtojnë reputacionin, apo janë ata që fusin hundët në çështjet dhe marrëdhëniet tona, duke sjellur dëme në relacione politike që janë ndërtuar për të ndihmuar në çështjet e Shqipërisë dhe Kosovës. Të përmëndësh emra që janë pjesë e administratës së President Trump, në një padi kaq ordinere, dhe pastaj ta çosh për publikimin në median Shqiptare, është diçka që do ti kthehet paditësit vet si boomerang.
Përtej kësaj, padia ka absurditete dhe gënjeshtra, për të cilën janë gati të dalin dëshmitar individë që janë boll të njohur në Shqipëri. Thjeshtë se ti pretendon diçka në një dokument gjyqi, nuk do të thotë që është e vërtet.
Padinë e kam lexuar në detaje dhe unë dhe ata që kjo ka implikuar në të dhe do ti përgjigjemi së bashku në një zë.
Kjo padi mund të botohej shumë mirë kur të dilte vendimi i gjykatës, dhe ju garantoj që do përfundoj ajo vetë duke më paguar mua personalisht por dhe ata që ka përmëndur (pa asnjë autorizim) në atë padi dhe që sot janë pjesë e administratës Trump. E vetmja keqardhje që kam është që individët e administratës që ka implikuar janë individë që i ka njohur nga unë, dhe këtë s’ja fal vetes, sepse e di që ju ka krijuar stres komplet të panevojshëm duke ngritur pikëpyetje për kredibilitetin tim. Këta individë nuk duan emrat e tyre në asnjë padi, jo më në një padi të një personazhi si Bleona Qerreti.
Nga ana tjetër, këngëtarja pretendon në deklaratën e saj se, që prej vitit 2022, Kokalari ka ndërmarrë një fushatë të vazhdueshme shpifjesh, sulmesh të organizuara dhe dezinformimi ndaj këngëtare, duke shtrembëruar fakte dhe fabrikuar narrativa të rreme, me synimin për për ta minuar profesionalisht në karrierën e saj dhe personalisht duke demtuar reputacionin e saj. Veprimet e Evi Kokalarit kanë qenë të qëllimshme, të përllogaritura dhe dashakeqe, duke shkaktuar dëm të pariparueshëm në reputacionin dhe imazhin publik të Bleonës si në SHBA ashtu edhe në Shqipëri. Në njoftimin zyrtar theksohet edhe lidhja mes tyre, ku thuhet se miqësia e rreme me Bleonën i dha asaj akses tek individë me ndikim dhe ekspozim në media, të cilat ajo i shfrytëzoi për përfitime personale.
Përmes kësaj padie, ajo kërkon vendosjen e përgjegjësisë ligjore ndaj sjelljes dashakeqe të Zj. Kokalari dhe rivendosjen e së vërtetës duke kërkuar dëmshpërblim për dëmet e shkaktuara dhe mbajtjen e përgjegjësisë nga Zj. Kokalari për narrativat e rreme./ZËRI
