
ITALI- Më 9 gusht 2017, në një ditë vere me diell në rajonin jugor të Pulias të Italisë, të shtënat me armë 'prishën' qetësinë e qytetit të vogël San Marco. 4 persona u gjetën të vrarë, ku dy prej tyre ishin bosi i mafies Mario Luciano Romito dhe nipi i tij, Matteo De Palma. Dy burrat e tjerë - Aurelio dhe Luigi Luciani - ishin fermerë vendas, të ndodhur në vendin e gabuar dhe kohën e gabuar, pasi mbërritën në vendngjarje menjëherë pas atentatit. Për ngjarjen nuk duhet të kishte dëshmitarë.
Dyshimet i çuan hetuesit tek mafia puliane, e njohur gjithashtu si Sacra Corona Unita (SCU), ose 'Mafia e Katërt' e pamëshirshme e Italisë - e quajtur 'e katërta' sipas treshes së frikshme të Cosa Nostra-s të Siçilisë, Camorra në zonën e Napolit dhe "Ndrangheta" kalabreze. Vrasjet nuk ishin aspak të parat në rajon, i cili ishte përfshirë nga dhuna e turmës për disa vite. Por vrasja e katërfishtë tundi këmbanat e alarmit për një grupi të ri kriminelësh. Disa ditë para katër vrasjeve, prokurori antimafia i qytetit të Barit, Biuseppe Volpe, u kishte shkruar një letër zyrtarëve në nivelet më të larta të qeverisë italiane, duke i paralajmëruar për gjakderdhjen në Foggia. Ai tha se ndihej i braktisur dhe se klanet kriminale po sundonin provincën juglindore pa u ndëshkuar.
Shifrat e raportuara nga The Guardian tregojnë se në 2017 dhe 2018, Foggia dëshmoi mesatarisht një vrasje në javë, një grabitje në ditë dhe një tentativë zhvatjeje çdo 48 orë - shifraalarmante krimi në një rajon ku jetojnë vetëm 150,000 njerëz.
Në nëntor 2018, policia italiane nisi një spastrim kundër grupit, duke arrestuar 30 mafiozë të dyshuar.
Çfarë është SCU dhe si e ka fituar reputacionin?
E formuar në fund të viteve 1970 dhe në fillim të viteve 1980, grupi u krijua zyrtarisht në një burg në 1983 - sipas një dokumenti të gjetur nga hetuesit në qelinë e themeluesit të tij zyrtar, Pino Rogoli, i cili është ende në burg edhe sot e kësaj dite. Megjithatë, rrënjët e saj mund të gjurmohen edhe më tej, tek një njeri i quajtur Raffaele Cutolo - i njohur gjithashtu si 'Profesori' - një bos krimi napolitan që themeloi Nuova Camorra Organizzata. Teksa ishte në burg, Rogoli ra në kontakt me liderin e 'Ndrangheta-s, si dhe me figura të lidhura me Cosa Nostra-n e Siçilisë.
Rogoli formoi Sacra Corona Unita, struktura e së cilës është e ngjashme me atë të 'Ndrangheta-s (një konfederatë e grupeve të organizuara ose familjeve) - dhe u shpall zyrtarisht kreu suprem i grupit të ri. Nën udhëheqjen e tij, SCU përhapi ndikimin e saj në të gjithë Pulian, duke iu përmbajtur traditave të ngjashme me ato të tre grupeve të tjera, ndërsa shfaqi të njëjtat tendenca barbare. Sipas një studimi të publikuar në vitin 2012 nga instituti italian Eurispes, sipërmarrjet kriminale të SCU po sillnin rreth 2.5 miliardë euro të ardhura. Vetëm trafiku i drogës në SCU llogaritej 878 milionë euro në vit. SCU besohet të përbëhet nga rreth 50 klane me afërsisht 2,000 anëtarë. Grupe të ndryshme të ndarë nga SCU kontrollojnë katër zona kriminale të mirëpërcaktuara në rajonin e Foggia, secila e specializuar në një formë të ndryshme krimi. Në qytetin Cerignola, mafiozët specializohen në sulme me eksploziv ndaj automjeteve të blinduara që transportojnë para. Në Masivin Gargano, trafiku i drogës është burimi kryesor i të ardhurave të grupit, pasi atje rrisin kanabisin. Në San Severo dhe Foggia, ekspertë të zhvatjes dhe fajdexhinj kanë depërtuar në ekonominë lokale dhe kanë rekrutuar nga kriminelë të nivelit të ulët.
San Giovanni Rotondo, një qytet pelegrinazhi që vizitohet nga adhuruesit e shenjtorit më të nderuar të Italisë - Padre Pio - është përdorur për një kohë të gjatë si një vend për ruajtjen e kokainës. Çdo klan 'përpiqet të fitojë ndikim dhe të ardhura shtesë' dhe dhuna mund të jetë ekstreme.
Hetuesit kanë gjetur se pushka është një arma e preferuar në radhët e mafiozëve të Foggia-s, veçanërisht të mafias në Gargano - e cila vepron në një rajon që mirëpret si turistët ashtu edhe dërgesat shqiptare të drogës. Arma e gjahut përdoret për të shpërfytyruar viktimën, pasi e qëllojnë edhe nga një distancë e afërt. Zhdukja e trupave pa lënë gjurmë është gjithashtu një tipar i zakonshëm i grupit. Ka të ngjarë të treten në acid, të kthehen në ushqim për derrat ose të hidhen në shpella që nuk do të gjenden më kurrë.
Në një rast, një kafkë njeriu ngeli jashtë një ndërtese komunale, ku ndodheshin zyrat e kryetarit të bashkisë Monte Sant'Angelo./ZËRI