
KËLCYRË- 8 jetë njerëzish u shuan në orët e para të mëngjesit të sotëm në Këlcyrë. 8 persona, emigranët dhe mes tyre shoferi shqiptar, ndërruan jetë teksa tentonin që t'i largoheshin Policisë së Shtetit.


Tashmë në vendin ku ka ndodhur aksidenti kanë mbetur vetëm hekurat e makinës dhe disa sende personale të emigrantëve.
Siç duket edhe nga fotot e kapura nga vendngjarja, nëpër gurë kanë mbetur veshje të viktimave apo dhe ndonjë çantë shpine. Tek kjo e fundit duket edhe një qese e mbushur me bukë, e cila nuk u konsumua kurrë. Viktimat janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa sendet e tyre do të mbeten aty...ndoshta përgjithmonë.
Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm, teksa shoferi i makinës tip “Benz”, Edison Bregaj po transportonte 7 emigrantë të paligjshëm. Por pasi ka vënë re që është pikasur nga 2 efektivë të patrullës është larguar me shpejtësi. Derisa në një moment ka humbur kontrollin e mjetit, duke "fluturuar" më ajër për të përfunduar në anë të lumit të Vjosës. Deri më tani, nga viktimat është identifikuar vetëm viktima shqiptare, ndërsa të tjerët ende nuk dihet se kush janë./ZËRI