DELVINË- Zjarret masive kanë përfshirë disa zona të banuara të Delvinës, ndërsa gjatë orëve të fundit situata ka dalë jashtë kontrollit. Në zonat më problematike u kërkua evakuimi i banorëve, ndërsa disa shtëpi u dogjën. Ndërkohë, Minstri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, zbriti vetë në terren për të parë situatën nga afër, teksa bëri të ditur se është mbyllur tuneli i Skërficës për të shmangur aksidentet. Tuneli që lidh Gjirokastrën me Sarandën dhe kalon përmes Delvinës, është mbyllur përkohësisht për qarkullimin e mjeteve për shkak të tymit nga zjarret.
“Kemi bërë mbylljen e përkohshme të tunelit të Skërficës për arsye të tymit që të mos shkaktohen aksidente të mundshme deri në stabilizimin e situatës. Vijon qarkullimi nga ana e Muzinës”, deklaroi Ministri i Mbrojtjes.
Vengu bën me dije se situata po monitorohet dhe për këtë janë angazhuar 120 forca që po operojnë, teksa thotë se po verifikohen shtëpitë që nuk kanë vatra zjarri që të njoftojnë më pas banorët për t'u rikthyer.
“Do verifikojmë a janë të sigurta banesat, nga momenti që i kemi verifikuara të gjitha që nuk ka vatra të vogla dhe të fshehura do ju njoftojmë që të riktheheni që sonte, pak durim”, dëgjohet ministri duke i thënë një banori në fshatin Pavli.
Ministri Vengu njofton se fatmirësisht nuk ka persona të tjerë të lënduar, përveç shefit të komisariatit të Delvinës. Teksa falenderon ndërhyrjen e shpejtë të policisë dhe zjarrfikësve, Vengu paralajmëron se do të jenë orë të vështira për shkak të temperaturave të larta.
“Evakuimi u krye i plotë me ndërhyrje të shpejtë të policisë, zjarrfikësit dua t’i falenderoj sepse kanë bërë punë heroike. Nuk kemi dëme në njerëz. Kemi një efektiv të policisë që ka bërë ndërhyrje heroike në orët e para të përpjekjes, shefi i komisariatit të Delvinës i cili ka pësuar disa djegie të lehta dhe është transportuar me helikopter në Spitalin e Traumës. Por përtej këtij incidenti, nuk kemi fatkeqësi të tjera. Do jetë një situatë dhe orë të vështira sepse presim që termometri të vijojë të jetë i nxehtë. Nesër mbarë harta e Shqipërisë është me nivel të kuq. 150 persona kemi të angazhuar këtu. Kemi 20 vatra zjarri në mbarë vendin, nga Tropoja në Gjirokastër, por duam të sigurohemi që zonat e banuara nuk kanë risk”, tha Vengu.
Zjarret masive kanë përfshirë Delvinën prej më shumë se 1 jave, ndërsa era e fortë ka përhapur me shpejtësi flakët drejt shtëpive, ku deri tani raportohet se janë djegur 11 prej tyre. Në terren është ndërhyrë me automjete zjarrfikëse, por edhe me ndërhyrje nga ajri. Dy helikopterë kanë operuar në operacionin e shuarjes së flakëve. Ndërkohë, ekipet e emergjencave kanë nisur evakuimet në 3 fshatra të Delvinës që janë përfshirë nga zjarret katastrofike. Evakuimet nisën pas urdhrit të Ministrisë së Mbrojtjes, pasi zjarret kanë marrë përmasa të mëdha./ZËRI