
TIRANË- Një mjek pranë Akademisë së Shkencave së Sigurisë në Tiranë, identifikuar si A.Xh u arrestua gjatë ditës së sotme, pasi akuzohet për korrupsion pasiv për personat që ushtrojnë funksione publike, si dhe për falsifikim të dokumenteve shëndetësore.
“Arrestimi i tij u konkludua pas një hetimi me metoda speciale disa mujor të Drejtorisë së Hetimit, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ku u dokumentua veprimtaria e kundraligjshme e mjekut A. Xh., i cili duke keqpërdorur atributet që i jepte detyra, kundrejt përfitimeve të paligjshme, lëshonte raporte mjeksore fiktive për kursantët dhe studentët e Akademise së Sigurisë, informoi sot prokuroria e Tiranës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas asaj që komunikon Prokuroria, mjeku A.Xh merrte ryshfet 1 mijë deri në 2 mijë lekë të reja për të lëshuar raporte mjekësore fiktive për kursantët dhe studentët e Akademisë së Sigurisë. Organi i akuzës ka dokumentuar së paku 45 raste, kur mjeku përfitonte para nga ryshfeti.
“Të dhënat e hetimeve paraprake, u vlerësuan veçanërisht për shkak të rrethanave të faktit, pasojës dhe rrezikshmërisë së veprës penale, ku kursantët që synohet të dalin në terren dhe të sigurojnë zbatimin e ligjit, edukohen në të kundërt që në embrionin e tyre profesional. Akademia e Sigurisë është vendi ku përgatiten oficerët e rinj të Policisë së Shtetit, të cilët në një të ardhme të afërt do të përballen me forma të ndryshme të krimit dhe do të jenë garantuesit e zbatimin e ligjit”- theksohet më tej në njoftim.
Më datë 13 dhjetor, Gjykata e Tiranës ka caktuar “arrest me burg” për mjekun e Akademisë së Sigurisë dhe vendimi është ekzekutur nga ana e AMP-së një ditë më pas.
NJOFTIMI I AMP:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, ekzekutoi Vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për caktimin e masës së sigurisë “Arrest me burg” për shtetasin A. XH., me detyrë mjek në Akademinë e Sigurisë Tiranë, i dyshuar për veprën penale të “Korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike”, “Fallsifikim i dokumenteve shëndetësore” dhe “Shpërdorim detyre”.
Vendimi ka ardhur pas një hetimi disa mujor me metoda speciale nga Drejtoria e Hetimit në AMP, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ku u dokumentua veprimtaria e kundraligjshme e mjekut A. XH., i cili duke keqpërdorur atributet që i jepte detyra, kundrejt përfitimeve të paligjshme, lëshonte raporte mjekësore fiktive për kursantët dhe studentët e Akademisë së Sigurisë.
Gjatë hetimeve të kryera, janë dokumentuar me prova ligjore 45 raste të ndërveprimit korruptiv midis mjekut A. XH. dhe studentëve/kursantëve, të cilët për të justifikuar mospjesëmarrjen në procesin mësimor, siguronin fiktivisht raportin mjekësor, kundrejt shumave monetare që varionin nga 1000 deri në 2000 lekë.
Gjithashtu është provuar se mjeku i arrestuar kryente fallsifikimin e raporteve mjeksore, duke lëshuar raporte mjekësore për studentët në kohë të mëparshme. Ai gjithashtu i lëshonte raporte mjekësore personave të tretë pa qenë prezent dhe pa kryer vizitën mjekësore.
Për sa më sipër, hetimet vijojnë në gjendje të lirë edhe në ngarkim të 45 studentëve/kursantëve, të cilët me veprimet e tyre të kundraligjshme, dyshohet se kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”./ZËRI