Aktualitet

Dita e Drejtësisë/ Sokol Sadushi: S’kemi ambiente e gjyqtarë, dosjet 'stivë'! Të plotësohen detyrimet

Sadushi thotë se kjo situatë është kritike në të gjitha gjykatat e vendit.

f.t
Dita e Drejtësisë/ Sokol Sadushi: S’kemi ambiente e
Sokol Sadushi

TIRANË-Në Ditën e Drejtësisë, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi ka evidentuar problematikat me të cilat përballet sistemi gjyqësor në vendin tonë. Në një takim me gjyqtarë, Sadushi vuri theksin te mungesa e burimeve njerëzore në sistemin gjyqësor, si edhe financiare, ndonëse thotë se ka një përmirësim të ndjeshëm. Sadushi thotë se kjo situatë është kritike në të gjitha gjykatat e vendit. Sadushi përgjegjësinë nuk ia ‘faturon’ vetëm ekzekutivit dhe legjislativit, por sipas tij rëndon edhe mbi pushtetin gjyqësor të cilët duhet të kërkojnë prej tyre përmbushjen e detyrimeve kushtetuese e ligjore.

Sokol Sadushi: Megjithëse Gjykata e Lartë ka një përmirësim të ndjeshëm të situatës post-reformë, falë punës dhe angazhimit maksimal të gjyqtarëve dhe stafit administrativ, por edhe Këshillit të Lartë Gjyqësor që ka plotësuar numrin e gjyqtarëve, ajo vijon të ketë pamjaftueshmëri të burimeve njerëzore, materiale dhe financiare. Në fakt, kjo është situata në të gjitha gjykatat e Republikës, që do ta konsideroja problematike, në mos edhe kritike. Përgjegjësia rëndon mbi të gjithë Ne gjyqtarët e Republikës, ashtu, si edhe mbi Këshillin e Lartë Gjyqësor, që nëpërmjet reagimit institucional dhe legjitimitetit të vendimmarrjes duhet t´i dëshmojmë ekzekutivit dhe legjislativit se sistemi i drejtësisë nuk zgjat dorën për lëmoshë, por kërkon prej tyre përmbushjen e detyrimeve kushtetuese e ligjore, në funksion të parimeve dhe vlerave, mbi të cilat vepron një shtet i së drejtës. Kjo e bën të domosdoshme nevojën e gjykatave për mirëmenaxhim, që nuk mund t’ia japin gjyqtarët e mbingarkuar me një vëllim çështjesh në rritje drastike. Ne kemi nevojë për një trupë administratorësh të aftë për të menaxhuar dhe drejtuar, në mënyrë që gjyqtarët të përqendrohen në detyrën parësore, të gjykuarit. Gjykatat nuk mund të kryejnë siç duhet misionin e tyre, nëse struktura, qeverisja, vizioni strategjik, programet dhe veprimet që ndërmerren, nuk krijojnë një perceptim të merituar në publik se gjyqësor është i përgjegjshëm.

Ndër të tjera kreu i Gjykatës së lartë tha se ajo çfarë është më e rëndë është se drejtësia po performon me dy standarde, ku në gjykatën e kryeqytetit seancat zhvillohen në zyrat e gjyqtarëve dhe pa audio, ndërsa në gjykatat në qarqe të tjera të vendit gjyqet mbahen në sallat gjyqësore./ZËRI

Poll

MOS HUMB