
TIRANË- Instituti i Shëndetit Publik ka qetësuar këtë të premte qytetarët e vaksinuar me vaksinën anti-covid AstraZeneca, pas raportimeve se kompania ka tërhequr nga tregu të gjitha vaksinat për shkak të komplikacioneve që shfaqnin tek pacientët. Përmes një dalje për mediat, drejtoresha e Shërbimit të Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino, shprehet se nuk ka asnjë shqetësim në lidhje me vaksinën.
Sipas Binos, komplikacionet, nëse do të kishte do të shfaqeshin 5 deri në 30 ditë nga vaksinimi. Bino bën me dije se kjo llojë vaksine në vendin tonë është përdorur deri në Dhjetor të vitit 2021 dhe më pas nuk ëhstë përdorur më. Referuar të dhënave zyrtare, Silva Bino deklaron se në vendin tonë kanë hyrë gjithësej 538 mijë vaksina dhe se 78% e tyre është përdorur.
Silva Bino: Këto reaksione anësore shfaqen 5-30 ditë pas bërjes së vaksinës. Kjo nuk ka asnjë ndikim afatgjatë, pra kushdo që ka bërë vaksinë AstraZeneca nuk ka pse të shqetësohet. Të dhënat ishin të sigurta dhe sigurisht vaksina u përdor në mënyrë masive në Mbretërinë e Bashkuar në Itali, në Francë në të gjitha vendet evropiane. Kjo lloj vaksine është përdorur në vendin tonë deri në Dhjetor të vitit 2021, më pas vaksina nuk është përdorur. Kanë hyrë 538 mijë ku 78% e tyre janë përdorur.
Po ashtu, shefja e Departamentit të Epidemiologjisë në ISHP, sqaron se të gjithë pacientët e vaksinuar me AstraZeneca janë monituar dhe nuk kanë shfaqur asnjë shqetësim. Bino thotë se vaksinat nuk kanë pasoja afatgjata. Referuar lajmeve se kompania ka tërhequr nga tregu vaksinat për shkak të mpikjes së gjakut që shkaktonin, Bino thotë se në bazë të të dhënave që ISHP ka, tërheqja e vaksinës është bërë pasi ajo nuk bën përditësimin e vaksinës ndaj shtameve të tjera, një cilësi që e kanë vaksinat që përdoren me mRMA
Silva Bino: Të gjithë njerëzit ne i kemi monitoruar dhe nuk kemi pasur reaksion anësor të tillë. Natyrisht ka pasur temperaturë sepse ky është një reaksion normal, pra ne nuk kemi pasur vdekje të lidhura me vaksinën. Një pjesë e njerëzve të cilët ne mendonim se mund të kishte edhe risk nga kjo gjë nuk bëmë dozën e dytë më AstraZeneca po bëmë Pfizer apo vaksinën kineze. Tërheqja e vaksinës në bazë të të dhënave që ne kemi është se ajo nuk bën përditësimin e vaksinës ndaj shtameve të tjera, një cilësi që e kanë vaksinat që përdoren me mRMA.
Më herët një reagim ka pasur dhe Ministria e Shëndetësisë së Kosovës. Përmes një deklarate, MSHK ka deklaruar se vaksinat AstraZeneca nuk kanë pasur asnjë efekt anësor tek qytetarët që i kanë bërë gjatë periudhës së Covid-19. Ndër të tjera në përgjigjen dhënë, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës shprehej se AstraZeneca kishte njoftuar se mpiksja e gjakut dhe efektet anësore janë të mundshme tek një grupmosh.
Ndërkohë vetë kompania ka njoftuar se po tërheq vaksinën e saj Vaxzevria kundër Covid-19 muaj pasi pranoi në dokumentet e gjykatës se ilaçi mund të shkaktojë mpiksje të rrallë gjaku. Sipas njoftimit të kompanisë, vaksina nuk do të mund të përdoret më në Bashkimin Evropian. Sipas AstraZeneca, vaksina po tërhiqet për arsye komerciale pasi “është tejkaluar nga vaksinat e rinovuara që adresojnë variantet e reja të Covid-19”. Kjo, sipas njoftimit, ka sjellë rënie të kërkesës për vaksinën e AstraZeneca, e cila nuk po prodhohet më dhe as nuk tregtohet.
Ky njoftim vjen pasi më 7 Maj, Agjencia Evropiane e Barnave lëshoi një deklaratë se vaksina nuk është më e autorizuar për përdorim. Ndërkohë, vetë kompania ka pranuar para disa ditësh se vaksina e saj anti-Covid mund të shkaktojë një efekt anësor të rrallë. Kjo ka ardhur pas disa padive se vaksina e gjigandit farmaceutik ka shkaktuar vdekje dhe lëndime të rënda në dhjetëra raste. Avokatët e palës së paditësve kanë argumentuar se vaksina ka prodhuar një efekt anësor, i cili ka pasur një efekt shkatërrues në një numër familjesh./ZËRI