
TIRANË- Të tjera dëshmi janë zbardhur nga dosja e Prokurorisë, në ngarkim të shtetasit Altin Çoku. Ai është marrë i pandehur për akuzën e shkaktimit të vetëvrasjes, ndërsa ka një CV ‘të pasur’ kriminale. Çoku, që u arrestua pas vetëvrasjs së Isabela Abedinit, rezulton se është dënuar nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda më 2015, pasi ka kërcënuar me jetë mjekun e tij psikiatër, G.S, më 2014. Çoku ishte pacienti i G.S, i cili shërbente si mjek neuro-psikiatër pranë Spitalit të Laçit, ndërsa i akuzuari kishte probleme shëndetësore.
Në deklaratat e tij, mjeku ka thënë se Çokut i ka dhënë në mënyrë të vazhdueshme lekë në sasi të ndryshme, me vlerë totale prej 4 mijë eurosh, detyruar për shkak të kërcënimeve që ka pasur. Mjeku ka deklaruar se Çoku pretendonte se e kishte vajzën të sëmurë. Doktori tha se është kërcënuar me jetë nëse nuk jepte paratë. Ai ka thënë se Altin Çoku i kishte thënë se nëse nuk i jepte shumën e kërkuar, atëherë do ia hidhte shtëpinë në erë. Por, më pas mjeku ka kërkuar që Çoku të mos ndiqet penalisht.
Deklarata e mjekut në hetuesi:
Në muajin qershor të vitit 2014, shtetasi i quajtur Altin Çoku, më ka ardhur në zyrë dhe më ka thënë se i duheshin lekë, për të mjekuar gocën e tij, si dhe për t’i dhënë avokatit, për një çështje që kishte. Të njëjtën gjë, përveçse direkt, ma ka kërkuar edhe nëpërmjet mesazheve, të cilat i kam dhënë përpara jush, ku më kërkonte vazhdimisht lekë.
Unë këtij shtetasi i kam dhënë disa herë lekë në shuma të ndryshme, pasi isha i kërcënuar dhe i frikësuar prej shtetasit Altin Çoku, dhe për shkak të sëmundjes së tij mendore. Unë i kam dhënë disa herë shuma parash në euro. Njëherë i kam dhënë rreth 1000 euro, se më thoshte se kishte vajzën sëmurë dhe donte ta operonte, njëherë tjetër i kam dhënë, se më thoshte do të të fus në burg, pasi unë isha marrë me vlerësimin e tij mjekësor të gjendjes mendore.
-Shuma që unë i kam dhënë këtij shtetasi është rreth 4000 euro, që i kam dhënë në kohë të ndryshme. Këto ja kam dhënë nën presionin dhe kërcënimin e tij të vazhdueshëm që më bënte direkt mua dhe nëpërmjet telefonit me biseda dhe mesazhe. Më thoshte dhe se do të zhduk dhe do të hedh shtëpinë në erë.
-…Unë kam vënë në dijeni babain e Altinit, i cili më ka thënë se nuk kam çfarë t’i bëj, por shko dhe denoncoje në polici. Në dijeni janë edhe drejtori i spitalit Llesh Ndoci dhe drejtori aktual Gazmir Dervishi.
-…Nuk i mbaj mend datat, por unë kam për të thënë se i kam dhënë shumën e lekëve që më ka kërkuar dhe shuma e përgjithshme ka qenë rreth 4 mijë euro. Vetëm unë dhe Altini jemi në dijeni për lekët që i kam dhënë. Unë në familjen time nuk tregoja për këtë problem, pasi nuk doja të shqetësoheshin.
-…Unë nuk i kam marrë asnjëherë para Altin Çokut, vetëm i kam dhënë atij. Nuk kam ndërhyrë asnjëherë tek askush për ta operuar. Nuk i kam lëshuar asnjë deklaratë shtetasit Altin Çoku se i kam marrë para. Nuk kam pasur shqetësime dhe kërcënime të tjera nga ana e tij. Pasi kam bërë kallëzimin shtetasi Altin Çoku, ka lëshuar një deklaratë se unë nuk i kam asnjë lloj borxhi dhe se nuk do të më sjellë më shqetësime të tjera. Ndodhur në këto kushte, unë kam deklaruar se nuk dua që shtetasi Altin Çoku, të ndiqet për atë që unë kam bërë kallëzim, pasi ne jemi sqaruar me njëri-tjetrin”./ZËRI/