
VAU I DEJËS- Gjergj Dajani, 41 vjeç, është vënë në pranga nga policia në Vaun e Dejës pasi tentoi t’i vinte flakën një automjeti dhe një supermarketi. Dajani, banues në fshatin Stajkë, në datën 15 shkurt ka hedhur një shishe me benzinë drejt fasadës së një supermarketi me administrator 41-vjeçarin me inicialet L.M.. Ndërsa në datën 17 shkur, ka hedhur një shishe me benzinë në drejtimt të automjetit tip ‘Benz’ në pronësi të 49-vjeçarit me inicialet B.S në fshatin Shelqet. Dëmet kanë qenë materiale, por nuk dihet ende arsyeja apo shkaku i veprimeve të Dajanit. Pritet që ai të merret në pyetje, për të zbardhur më shumë detaje.
Njoftimi i policisë në Vaun e Dejës:
Tentoi të digjte me lëndë djegëse, një automjet dhe fasadën e një supermarketi, falë veprimeve të thelluara hetimore, identifikohet dhe arrestohet autori i dyshuar i këtyre rasteve. Vihet në pranga një 41-vjeçar. Dhe rezultat i veprimeve të thelluara hetimore për zbardhjen e 2 rasteve të tentativës së shkatërrimit të pronës me zjarr, të ndodhura ditët e fundit, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar, shtetasit Gj. D., 41 vjeç, banues në fshatin Stajkë. Ky shtetas dyshohet se më datë 15.02.2024, ka hedhur një shishe me lëndë djegëse në drejtim të fasadës së supermarketit me administrator shtetasin L. M., 41 vjeç, banues në Shkodër, pa shkaktuar dëme. Gjithashtu, më datë 17.02.2024, ka hedhur një shishe me lëndë djegëse, në drejtim të automjetit tip “Benz”, në pronësi të shtetasit B. S., 49 vjeç, banues në fshatin Shelqet. Vijon puna hetimore për zbardhjen e rasteve të tjera të shkatërrimit të pronës, që mund të jenë kryer nga ky shtetas. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.