
TIRANE- Një ditë pas aksionit të Prokurorisë së Posaçme në Shkodër dhe në Lezhë ku u shoqëruan dhe u morën në pyetje disa nga drejtuesit e shtabeve të PSD në Malësinë e Madhe, sot janë zbuluar edhe detaje nga ky hetim i nisur nga SPAK dhe i verifikuar me urdhër kontrolle nga Gjykata e Posaçme. Vendimi është firmosur nga gjyqtari Erion Bani, i cili ka urdhëruar kontrollin e banesës, sekuestron e telefonit dhe automjeteve të kreut të PSD në Malësinë e Madhe, Ardian Hysa.
Report Tv raporton se kontroll personal dhe banese i është ushtruar edhe një qytetari, Florenc Kalaj i cili ka kërkuar sipas SPAK favore ndaj Ardian Hysës në këmbim të votave të tij dhe familjes.
SPAK dyshon se Ardian Hysa është përfshirë në shitblerje vote në këmbim të shumave monetare, të cilat merreshin nga përfaqësuesë të tjerë të PSD që punojnë në Shkodër.
Rasti ëshrë referuar në Prokurori nga dy OPGJ, të cilët gjithashtu janë marrë në pyetje nga SPAK dhe kanë thënë se informacioni i tyre është marrë nga tre burime të ndryshme policore, se kryetari i PSD në Malësinë e Madhe ka qenë duke blerë vota.
Në mesazhet mes tyre thuhet konkretisht se Floren Kalaj ndihet fajtor që nuk ka siguruar shumë vota, ndërkohë që në një tjetër mesazh një person njofton Ardian Hysën se ka marrë disa karta identiteti.
Mesazhet:
Florenc Tonin Kalaj: Perzotin tash se di une jane pak vota e burr si i thone i kam te atyne qe janë njerzve te mi a kupton po une perzotin e kam i fije te veshtire me shku vete prej problemit qe kaт a kupton..".." Po se di neqoftese bahet na i gjo si i thone asaj fales me mujt me mare ate letren..",
Ardian Hysa: “Flasim prej afer..”
Një tjetër komunikim i datës 5 maj 2025, kryetari i PSD Malësi të Madhe merr një mesazh nga një tjetër person që i shkruan "..Aa ja itash ika prej Koplikut se pata ul ata me mar kartat..”. Pra një person që ka mbledhur kartat e qytetarëve për të votuar.
Vendimi i GJKKO:
1. Kontroll personal Ardian Hysa, kontroll biznesit të Ardian Hysës, një oficinë e riparimit të pjesë mekanike, kontroll automjetit të tij Mercedes Benz
2. Kontroll personal Florenc Tonin Kalajt, lindur në Koplik, kontroll banesës së Florenc Tonin Kalaj.
3. Kryerja e kontrollit personal dhe banesë për personat e mësipërm bëhet me qëllim gjetjen dhe sekuestrimin e provave materiale. Kryerja e kontrolli sipas vendimit të GJKKO duhet të kryhet nga Hetuesit pranë SPAK.
Ndërkohë që PSD në një reagim dje për mediat sqaroi se janë akuza të pabazuara pretendimet se anëtarë të PSD janë përfshirë në shitblerje votash ndërsa shigjetoi SPAK se po bëhet "gjueti shtrigash"./ZËRI