
TIRANË-Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dënimin me 17 vite burg për Islam Sefën, i cili akuzohet për trafik droge drejt Gjermanisë. Në rast se GJKKO pranon kërkesën e tij për gjykim të shkurtuar, dënimi do t’i ulet me 1/3, duke përfunduar në 11.4 vite burg. Seanca e radhës pritet të zhvillohet për dhënien e vendimit përfundimtar nga trupa gjykuese.
Sefa akuzohet si drejtuesi dhe financuesi i trafikut të drogës në Gjermani me vlerën e 3.3 mln eurove. Sipas SPAK, gjatë hetimeve janë evidentuar 9 episode trafiku dhe është provuar se sasia e lëndës narkotike është 912 kg marijuanë. Sasia e lëndës narkotike sigurohej kryesisht nga Shqipëria dhe Spanja dhe më pas futej në Gjermani, por edhe në vende të tjera të Bashkimit Evropian.
Islam Sefa u arrestua më 3 korrik pranë SPAK, teksa kishte shkuar për të takuar avokatin që kishte kontaktuar për mbrojtjen e tij. I vëllai i Islam Sefës, Bujar Sefa u dënua vetëm dy ditë më parë me 10 vite burg nga GJKKO, ndërsa Islam Sefa rezulton i dënuar me 9 vjet e 9 muaj në Itali. Ai u arrestua bashkë me 7 pjesëtarët e grupit të kultivimit të drogës në Njësinë Administrative Cudhi të Bashkisë Krujë, fshatrat Noj, Shkretë, Rranxë, Bruz Mal, Bruz Zall, në sipërfaqe tokash pyll kryesisht me pronar “shtet” zona kufitare me njëra-tjetrën. Kultivuesit e drogës në Krujë, nuk komunikonin me telefon, por vetëm me radio dhe aplikacione me internet./ZËRI