Aktualitet

Drama e shqiptarëve që ikin në Angli. Balla: Kemi filipinas dhe indianë

Riatdhesimet nuk janë i vetmi faktor që pengon nisjet – pasi policia britanike dhe ajo shqiptare tani po ndajnë të dhëna për të gjurmuar trafikantët që reklamojnë udhëtimet me gomone.

k.m.
Drama e shqiptarëve që ikin në Angli. Balla: Kemi filipinas dhe
Foto ilustruese

BRITANI E MADHE- Në agimin e 2 tetorit, Shabani u ul në një varkë të vogël me 50 bashkëqytetarë shqiptarë që lundronin drejt bregut anglez për një jetë e re dhe emocionuese kur papritmash një varkë policie u doli para. Përpara disa javësh dhe kamarieri 29-vjeçar u kthye në aeroportin e Tiranës me 5000 euro borxh.

Ishte e rrezikshme në atë varkë dhe nuk do të provoj më. Rrezikova të mbytem dhe tani më duhet t'u kthej të afërmve të mi paratë që kam marrë hua për të shkuar në Angli,"- tha ai për The Times. Shabani, i cili nuk pranoi të jepte mbiemrin e tij, ishte i fundit nga afërsisht 4,600 shqiptarët që u riatdhesuan nga Britania e Madhe.

“Këto fluturime riatdhesimi dërgojnë mesazhin se nëse udhëton ilegalisht do të përfundosh edhe ti kështu, dhe meqë nisjet janë në rënie, kjo metodë deri më tani po funksionon,”- tha Përparim Dema, shef i njësisë së policisë kufitare në aeroport. "The Times" iu dha akses në qendrën e  aeroportit, e ndërtuar vitin e kaluar me paratë e Mbretërisë së Bashkuar.

Në Britaninë e Madhe, policia hyri në banesën time duke kërkuar një shqiptar tjetër – ai nuk ishte aty, por ata kontrolluan dokumentet e mia dhe zbuluan se isha i paligjshëm. Unë nuk kam kryer asnjë krim, nëse policia nuk do të kishte ardhur në shtëpi, unë do të isha ende atje, por tani jam kthyer dhe kam borxh 6 mijë euro,”- tha Genalia Pallimb, 45 vjeç, i cili kaloi 18 muaj në Britani, ku edhe punonte në një lavazh makinash. Teksa fliste nuk i ndalte dot as lotët. 

“Të kthyerit janë të trishtuar, të turbullt dhe jo shumë bashkëpunues – duan të dalin nga ndërtesa dhe të pinë duhan,"-tha Dema, i cili shtoi se të gjithë atyre që zbresin nga avionët u ndalohet të largohen nga Shqipëria për tre vjet. Elektricisti Xhevahir Arusha, 31 vjeç, nga Tropoja në Shqipërinë veriore tha se kishte 15,000 eurosh borxh tek disa persona "të këqij" në Shqipëri pasi kishte kaluar dy herë për në Angli dhe ishte kthyer po të dyja herët. 

Alastair King-Smith, ambasadori britanik në Shqipëri, tha se emigrantët e kthyer në shtëpi kanë nisur që t'u thonë atyre që aspirojnë të largohen që të mos besojnë ato që shohin në TikTok.

“Njerëzit që kthehen në Shqipëri po raportojnë se përvoja e tyre nuk ishte ajo që u reklamuan nga kontrabandistët në mediat sociale,”-tha ai për Times.

Riatdhesimet nuk janë i vetmi faktor që pengon nisjet – pasi policia britanike dhe ajo shqiptare tani po ndajnë të dhëna për të gjurmuar trafikantët që reklamojnë udhëtimet me gomone.

“Trafikantët janë të lidhur me tregtarët e drogës dhe ne i kemi prerë kokën gjarprit, nuk është mirë vetëm t'i presim bishtin,”- tha Taulant Balla, ministri i Brendshëm shqiptar. Po ashtu, ministri shtoi se vendasit po ikin në një kohë kur turizmi po rritet në Veri të vendit.

"Turistët po shkojnë drejt maleve, prej andej na largohen vendasit,"-tha ai.

Ironia është se pas luftimit të emigracionit të paligjshëm në Britaninë e Madhe për të kufizuar dëmtimin e fuqisë punëtore të Shqipërisë, kërcënimi tjetër i madh do të jetë emigrimi i ligjshëm në Gjermani pasi Berlini lehtësoi kontrollet si një përpjekje urgjente për të joshur më shumë shqiptarë në fabrikat e tyre.

“Është problem. Fatmirësisht ne kemi shumë filipinas, pakistanezë dhe indianë që vijnë,"-shtoi ai.

I ulur në një kafene në Tiranë, një shqiptar tha se ishte i vendosur të qëndronte i vendosur pas kthimit nga Britania e Madhe në vitin 2022.

“Shkova sepse doja të bëhesha hero për familjen time dhe të vendosja ushqim në tryezën e tyre,”-tha Fatlum Cahame, 29 vjeç, i cili jetonte në Shepherd's Bush dhe punonte në ndërtim, por u kthye vullnetarisht dhe tani ka hapur një dyqan veshjesh.

“U ktheva sepse nuk dua të kem frikë,”-shtoi ai.

Marrë nga TheTimes/ZËRI

Poll

MOS HUMB