Aktualitet

Drejtoria e Burgjeve jep leje, Klodian Rrjepaj do të dalë nga qelia, për të shkuar në Kuvend!

Klodian Rrjepaj ndodhet pas hekurave që prej muajit Gusht të vitit 2023, për akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve

E.K
Drejtoria e Burgjeve jep leje, Klodian Rrjepaj do të dalë nga qelia,
Klodian rrjepaj

TIRANË- Ish-zëvendësministri i Shëndetësisë Klodian Rrjepaj, i cili ndodhet pas hekurave, do të dëshmojë nesër në Komisionin Hetimor Parlamentar për “Sterilizimin. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka dhënë lejen për shoqërimin e Rrjepajt, ndërkohë që e njëjta procedurë pritet që të ndiqet edhe për ish-ministrin e shëndetësisë Ilir Beqaj.

Komisioni Hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-Up në Shëndetësi, që drejtohet nga demokratja Albana Vokshi, kërkoi për të thirrur si dëshmitarë ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ish-zëvendës/ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, biznesmenin Ilir Rrapaj dhe gjashtë zyrtarë të tjerë, që janë nën hetim nga SPAK.

Komisioni caktoi mëngjesin e 9 tetorit për Beqajn dhe 20 shtatorin për Rrjepajn si data për të marrë dëshmitë, megjithatë autorizimi deri më tani është dhënë vetëm për Rrjepajn dhe Rrapajn, dhe jo për ish-ministrin.

Për Beqaj, ka një masë detyrimi paraqitje për koncensionin e sterilizimit, ndërsa ai gjendet pas hekurave për një tjetër aferë, që është ajo e abuzimin me fondet e BE, teksa ishte në drejtimin e SASPAC.

 

Në Mars të këtij viti, SPAK njoftoi mbylljen e hetimeve për koncesionin e sterilizimit, ku ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj akuzohej për veprën penale shpërdorim detyre. Në bankën e të akuzuarve Beqaj do të jetë së bashku me ish-zëvendësin e tij në Ministri, Klodian Rrjepaj si edhe biznesmenin Ilir Rrapaj që mori koncesionin e sterilizimit, të dy në burg që prej gushtit të kaluar, aty ku u janë komunikuar edhe akuzat.

Klodian Rrjepaj dhe Ilir Rrapaj akuzohen për 'mashtrim'. Ndërkohë mbi zëvëndës ministrin Rrjepaj rëndon edhe akuza e falsifikimit të dokumentave dhe shpërdorim detyre. SPAK ka dërguar për gjykim edhe 6 ish-zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë të cilët kanë qenë anëtarë të Komisionit të tenderit të sterilizimit.

Saimir Kadiu drejtor ekonomik dhe Marsela Serjanaj drejtoreshë juridike të cilët janë në arrest shtëpie, mjeku Arben Gjata, Naile Ajazi, Genc Byrazeri dhe Petro Mersini që deri më tani kanë pasur masën 'detyrim me paraqitje'. Ish-zyrtarët akuzohen për 'falsifikim dokumenti' dhe 'shpërdorim detyre'.

SPAK akuzon për shkelje në procesin e koncesionit të sterilizimit me vlerë 100 milionë euro dhe afat 10-vjeçar, të fituar nga biznesmeni Ilir Rrapaj. /ZËRI

Poll

MOS HUMB