
TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për koncesionin e sterilizimit dhe ka dërguar për gjykim ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqajn, ish-zëvendësin e tij në Ministri, Klodian Rrjepaj, biznesmenin Ilir Rrapaj dhe 6 ish-zyrtarë të tjerë, Saimir Kadiun drejtor ekonomik dhe Marsela Serjanaj drejtoreshë juridike, mjekun Arben Gjata, Naile Ajazin, Genc Byrazerin dhe Petro Mersinin.
SPAK akuzon për shkelje në procesin e koncesionit të sterilizimit me vlerë 100 milionë euro dhe afat 10-vjeçar, të fituar nga biznesmeni Ilir Rrapaj. Prokuroria thotë se në dhënien e koncesionit të akuzuarit nuk kanë respektuar ligjin dhe kanë shpërdorur detyrën ndërkohë që sipas akuzës Ilir Beqaj ka pasur njohje dhe miqësi të fortë me biznesmenin Ilir Rrapaj. Ndër gjetjet e konstatuara nga SPAK janë edhe procedurat e ndjekura për fituesin por dhe mos realizimi i kushteve të parashikuara në kontratë.
SKEMA
Nga hetimet e kryera, SPAK njofton se në veprimet e përllogaritjeve financiare rezulton e provuar se numri i ndërhyrjeve kirurgjikale është raportuar i rremë në këto dokumente, që i janë paraqitur Ministrisë së Financave. Gjithashtu në këta tregues financiar, me qëllim uljen e normës së IRR dhe NPV, i pandehuri Klodian Rjepaj, ka shtuar si zëra të kostove të shërbimit në kohëzgjatjen e koncensionit, mirëmbajtje të instrumenteve, të sistemeve dhe centralit të sterilizimit, në vlera disa herë më të larta se vlera e blerjes së tyre të reja.
Kostot
Nga hetimet e SPAK ka rezultuar se numri i ndërhyrjeve kirurgjikale është raportuar i rremë, janë shtuar zëra të kostove të shërbimit në kohëzgjatjen e koncesionit, mirëmbajtje të instrumenteve, të sistemeve dhe centralit të sterilizimit, në vlera disa herë më të larta se vlera e blerjes së tyre të reja.
Gjithashtu rezulton se në Krahasuesin e Sektorit Publik, si treguesi kryesor për dhënien e këtij projekti me Koncension/Partneritet Publik Privat, janë përdorur kosto të rreme të këtij shërbimi në QSUT për vitin 2013, duke vendosur vlerat e barnave dhe medikamenteve mjekësore, që nuk janë pjesë e këtij shërbimi. Kjo kosto është rritur dhe mbivlerësuar në mënyrë të rreme në masën 56.4%.
"Gjatë gjithë periudhës përgatitore të projektit, procedurën e tenderimit dhe dhënies së koncensionit deri në firmosjen e kontratës koncensionare, i pandehuri Klodian Rjepaj ka bashkëpunuar ngushtësisht me te pandehurin Ilir Rrapaj, me qëllim shpalljen fitues të operatorëve ekonomikë, ku pjesëmarrës është me 40% subjekti tregtar “Investital Llc”, me përfaqësues po të pandehurin Ilir Rrapaj,"-njofton SPAK.
Roli i Klodian Rrjepaj dhe ish-zyrtarëve të tjerë
Sipas SPAK, rezulton e provuar se ish-zëvendësministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Dhënies së Koncesionit, është personi i cili ka kryer të gjitha veprimet e përllogaritjeve financiare për sterilizimin, të cilat i ka ndryshuar disa herë me qëllim që të ishin në vlera të pranueshme nga Ministria e Financave, me qëllim miratimin e koncesionit.
"Për të ligjësuar dokumentat me të dhëna të pavërteta ish-zëvëndësministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Dhënies së Koncensionit, si personi i cili ka bërë pasqyrat financiare dhe studimin e fizibilitetit, ka bashkëpunuar me anëtarët e tjerë të komisionit Marsela Serjani, Petro Mersini, Arben Gjata, Saimir Kadiu, Genc Burazeri dhe Naile Ajazi,"-thuhet në njoftim.
Rezulton se për të gjitha veprimet lidhur me miratimin dhe nënshkrimin e kontratës koncensionare qëndron ish- Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
'Për veprimet ose mosveprimet që kanë të bëjnë me miratimin dhe nënshkrimin e kësaj kontrate koncensionare, duke i miratuar ato në kundërshtim me rregullat dhe aktet ligjore e nënligjore të zbatueshme për konçesionet, rezulton e provuar plotësisht, se ish Ministri i Shëndetësisë, i pandehuri Ilir Beqaj, ka konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, e kryer në bashkëpunim, me Klodjan Rjepajn, të parashikuara nga 248 -25, të Kodit Penal.,"-njofton SPAK.
Hetimet vijojnë lidhur me dyshimet për veprime në kundërshtim me ligjin nga persona subjekte të hetimit të kësaj prokurorie gjatë fazës së ekzekutimit të kontratës konçesionare./ZËRI