
DURRËS- Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet që çuan drejt vdekjes futbollistin ganez të Egnatias, Raphael Dwamena. Mësohet se janë marrë në pyetje edhe mjekët e ekipit, personali auto-ambulancës dhe mjekët e spitalit në Kavajë. Po ashtu, janë sekuestruar edhe kartelat mjekësore të tij.
Hetimi nga prokuroria vijon për të sqaruar shkakun e humbjes së jetës së lojtarit, gjatë ndeshjes. Sulmuesi Dwamena më herët kishte bërë një ndërhyrje në zemër, ndërsa luante me një aparat në zemër. Pikëpyetjet u ngritën pasi, Dwamena edhe pse për disa vite e kishte të ndalur futbollin, në janarin e këtij viti u bashkua me ekipin e Egnatias. Rrethanat se si ekipi i Rrogozhinës e ka bërë pjesë të tijin 28-vjeçarin mbeten ende të paqarta.
Nga ana tjetër, vetë Dwamena, në intervistën më të fundit ka theksuar se e kishte hequr defibrilatorin e vendosur nga mjekët, pasi e pengonte në aktivitetin e tij sportive dhe i shkaktonte panik.
Raphael Dwamena pësoi atak kardiak në fushën e blertë gjatë ndeshjes kundër Partizanit në stadiumin e Rrogozhinës. Autor i 8 ndeshjeve dhe 2 golave me kombëtaren afrikane, një lojtar për të cilin, zviceranët e Zuri paguan 600 mijë euro për ta blerë nga austriakët e Austria Lustenau në janarin e vitit 2017, u nda nga jeta ditën e djeshme 10 nëntor. Vdekja e Dwamena-s u konfimua nga mjekët e spitalit të Kavajës, ndërsa autoritetet shqiptare kanë nisur hetimet për të zbardhur nëse ka pasur apo jo neglizhencë nga institucionet e vendit tonë, që në janar të këtij viti, vendosën firmosjen e kontratës me futbollistin./Zëri.ai