Aktualitet

Dy rastet që çuan në burg Goron, mbi 5000 m2 tokë bënë bashkëshortin e Xhaçkës investitor strategjik

Goro akuzohet edhe për një rast tjetër, ku po në bashkëpunim me kreun e Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës Jerasimo Bashi, ka realizuar me veprime konkrete zhvendosjen faktike në terren të një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5080 m2, duke ja mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit.

F.m
Dy rastet që çuan në burg Goron, mbi 5000 m2 tokë
Olta Xhaçka, Jorgo Goro dhe Artan Gaçi

TIRANË- Kryebashkiaku në detyrë i Himarës, Jorgo Goro është vënë në pranga dhe akuzohet se ka shpërdoruar dy herë detyrën, duke tjetërsuar pronat e shtetit dhe favorizuar privation. Sipas njoftimit të publikuar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Goro, në cilësinë e kryetarit të bashkisë në bashkëpunim me Drejtorinë e Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, drejtuar nga Jerasimo Bashi, ka dorëzuar pranë organeve kompetente dokumente tërësisht të falsifikuara duke bërë të mundur më pas regjistrimin e një sipërfaqe prej 5512 m2 tokë bujqësore në pronësi shtet, në favor të subjektit privat.

Kjo sipërfaqe toke e ndodhur në Dhërmi, Vlorë, është tjetërsuar në favor të një subjekti privat dhe ky tjetërsim është shoqëruar me përftim material të padrejtë për Stavri Mëhillin. Në këtë rast, Goro ka pasur bashkëpunëtor edhe zyrtarët përgjegjës, kreun e kadastrës, Bilbil Aliaj dhe juristin Vezir Gjikoka, të cilët janë lënë në masën “arrest shtëpie”. Mbi këtë pronë, pasi është blerë, është marrë statusi i investitorit strategjik nga Artan Gaçi, ish-deputeti i Partisë Socialiste dhe njëkohësisht bashkëshorti i ish-ministres e deputetes Olta Xhaçka.

Goro akuzohet edhe për një rast tjetër, ku po në bashkëpunim me kreun e Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës Jerasimo Bashi, ka realizuar me veprime konkrete zhvendosjen faktike në terren të një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5080 m2, duke ja mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit.

Ndaj Bashit nuk është bërë e mundur ekzekutimi i masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, pasi ai nuk është gjetur. Dhe pronari përfitues, Stavri Mëhilli, është shpallur në kërkim.

Operacioni për arrestimin e Goros erdhi pas padisë së bërë nga Fredi Beleri, kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, që ndodhet pas hekurave dhe është dënuar për shitblerje votash.

Beleri paditi Jorgo Goron për veprat penale ‘Shpërdorim detyre’, ‘Falsifikim i dokumenteve, nga personi që ka për detyre të lëshojë aktin; Foto Pavllo Mehilli (trashëgimtarët), banues në Dhërmi, për kryerjen e veprës "Falsifikimi i dokumenteve", "Pastrimi i produkteve te veprës penale"; Artan Gaçin, për kryerjen e veprës penale "Falsifikimi i dokumenteve", dhe "Pastrimi i produkteve të veprës penale" si dhe Olta Xhaçkën, për kryerjen e veprës penale "Shpërdorimi i detyrës".

Edhe Artan Gaçi është paraqitur për tu marrë në pyetje në SPAK për këtë çështje, në tetor të vitit të kaluar. Një ditë pas tij, në dyert e SPAK shkoi vetë kryetari në detyrë i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, i cili u mor gjithashtu në pyetje.

 

Poll

MOS HUMB