
TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dalë me njoftimin zyrtar oër arrestimin e kryebashkiakut në detyrë të Himarës, Jorgo Goro. Në njoftim bëhet me dije se Goro, akuzohet dy herë për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim. Në burg është lënë dhe Stavri Mëhilli pasi akuzohet për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave”, më shumë se një herë dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave, ose i formularëve”. Në njoftim bëhet me dije se është caktuar arrest shtëpie për tre zyrtarë të tjerë, J.B., me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, Bashkia Himarë (në kohën e ngjarjes), si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, B.A., me detyrë Drejtor i ASHK-së Drejtoria Vendore Vlorë (në kohën e ngjarjes), si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, dhe V.GJ., me detyrë Jurist pranë ASHK-së Drejtoria Vendore Vlorë (në kohën e ngjarjes), si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Goro është vënë në pranga pas shqyrtimit të kallëzimit të bërë nga kryebashkiaku i zgjedhur, Fredi Beleri që ndodhet pas hekurave dhe i dënuar për shitblerje votash. Në kallëzimin e kryer, Beleri akuzon kryetarin në detyrë të Bashkisë Himarë, Jorgo Goro se ka tjetërsuar një pronë në favor të të tretëve. Kjo pronë, pasi është blerë, i ka dhënë statusin e investitorit strategjik Artan Gaçit, ish-deputetit të Partisë Socialiste dhe njëkohësisht bashkëshorti i ish-ministres e deputetes Olta Xhaçka. Më konkretisht, bëhet fjalë për një sipërfaqe toke prej 5512 metra katrorë, të përfituar në mënyrë të parregullt nga Foto Pavllo Mëhilli.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka regjistruar procedimin penal Nr. 189, të vitit 2023, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 e 25 të Kodit Penal, “Falsifikimi i dokumentave”, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal, dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 190/2 i Kodit Penal.
Pas kryerjes së veprimeve hetimore, me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin Nr. 31, datë 23.03.2024, ka vendosur:
1. Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim J.G., me detyrë Kryetar i Bashkisë Himarë, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal, kryer 2 herë.
2. Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim J.B., me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, Bashkia Himarë (në kohën e ngjarjes), si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal, kryer 2 herë.
3. Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim B.A., me detyrë Drejtor i ASHK-së Drejtoria Vendore Vlorë (në kohën e ngjarjes), si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal.
4. Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim V.GJ., me detyrë Jurist pranë ASHK-së Drejtoria Vendore Vlorë (në kohën e ngjarjes), si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal.
5. Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim S.M., si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave”, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave, ose i formularëve”, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 190/2 i Kodit Penal.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, ka ekzekutuar në datën 23.03.2024, masat e sigurimit të caktuara me vendimin nr. 31, datë 23.03.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj tre personave të hetuar J.G., B.A. dhe V.GJ., në kuadër të këtij procedimi penal, ndërsa për dy personat e tjerë masat e sigurimit personal nuk janë ekzekutuar ende.