TIRANË- Aksesi në e-abania për bizneset është i pamundur këtë të premte, duke lënë pa shërbim qindra tatimpagues. Prej kohësh hyrja në e-albania ka qenë problematike, ndërsa jashtë funksionit kanë dalë me radhë shërbimi i Kadastrës, ai i çeljes së trashëgimisë së pasurisë, apo recetat e rimbursueshme.
Edhe sot, njësoj si në të gjitha rastet e përparshme ku sistemi ka çeduar, nga Agjensia Kombëtare e Shërbimit të Informacionit nuk ka asnjë sqarim për përdoruesit e e-albania, këtë herë bizneset.
Në të njëjtën ditë që e-albania shfaq sërish probleme, Ermal Beqiri, një nga përfituesit më të mëdhenj të tenderave të IT-së nga AKSHI përmes kompanisë së tij Soft & Solution është duke u shndërruar në një nga aktorët më të fuqishëm dhe kyc të sektorit të IT-së, zhvillime këto që diktohen kryesisht nga lëvizja e parasë publike.
Beqiri ka mbyllur marrëveshjen për blerjen e kompanisë Horizon, një shoqëri me pronësi në Qipro, e cila është përfituese e disa kontratave publike në Teknologjinë e Informacionit. Transaksioni nuk është njoftuar ende në Qendrën Kombëtare të Biznesit, serveri i të cilit mirëmbahet pikërisht nga Soft & Solution.
Ermal Beqiri është një nga përfituesit më të mëdhenj të parasë publike në tregun e teknologjisë së informacionit përmes kompanisë së tij Soft & Solution. Me blerjen e Horizon, grupi i tij shndërrohet në një aktorët kyç të këtij tregu, të cilët diktojnë lëvizjen e parave të shtetit.
Soft & Solution është një kompani, e cila në katër vitet e fundit ka përfituar mbi 18 milionë euro pagesa të drejtëpërdrejta nga thesari i shtetit për tenderat e fituar kryesisht nga AKSHI. Këtu nuk përfshihen tenderat e përfituara nga institucionet publike jashtëbuxhetore, të cilat nuk raportohen në sistemin e thesarit apo kontratat, që fitohen me kompanitë satelite.
/ZËRI
