
TIRANË- Pasditen e së shtunës, në Tiranë u tentua që të rrëmbehej një fëmijë, vetëm 2 vjeç. Ngjarja ndodhi në një supermarket në Tiranë, por fatmirësisht gruaja që mori në krahë fëmijën, vendosi që të rikthehej.
Gazetari Besar Bajraktaraj tha këtë të martë gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan se vetëm gjatë ditës së sotme është bërë i mundur identifikimi i gruas. Bëhet fjalë për një grua rreth të 50-ave, e cila dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor.
“Pasditen e sotme është bërë identifikimi i gruas. Policia nuk e bën të ditur emrin e saj pasi nuk është shoqëruar. Është një grua e cila është rreth të 50-ave, dyshohet me probleme pasi nga vetë komunikimet që ka mbajtur me stafin, nga ato që ata kanë deklaruar se kanë komunikuar me zonjën u ka dhënë përshtypjen se është me probleme mendore,”- tha gazetari Bajraktaraj.
Edhe pse e ëma pa gjithë skenën, ajo nuk shkoi që të raportonte rastin në Polici. Ishte babai i të miturës, ai ka shkuar për të bërë kallëzimin e rastit.
“Nëna ka deklaruar që ajo është shfaqur me fjalë përkëdhelëse dhe është larguar menjëherë duke i marrë fëmijën dhe më pas është kthyer. Ajo ka deklaruar se dukej si një person që kishte probleme,”-shtoi gazetari./ZËRI