
SHKODËR- Alehandro dhe Kristjan Pashuku akuzohen se kanë shfrytëzuar për punë një të mitur afgan që kishte mbërritur ilegalisht në Shqipëri. I pari është arrestuar, ndërsa i vëllai është shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit. Por sot, familjarët e dy pronarëve të servisit të automjeteve në Shkodër, kanë hedhur poshtë akuzat e Policisë lidhur me 16-vjeçarin afgan.
Lazër Pashuku, vëllai i tretë i dy të akuzurve dhe babai i tyre,Aleksandër Pashuku pretendojnë se e kanë ndihmuar të miturin duke i ofruar ushqim, para, ilaçe. Madje pretendojnë se edhe e kishin strehuar në banesën e tyre. Pretendimet se e mbanin forcërisht në biznesin e tyre, i kanë hdhuur poshtë duke shtuar se i mituri ka qenë tërësisht i lirë dhe ka lëvizur në gjithë qytetin i vetëm ose bashkë me punonjësit e tjerë sipas dëshirës. Për më tepër, sipas tyre, afgani komunikonte me familjen çdo natë. Po ashtu, shtojnë se as për moshën e tij të mitur nuk kanë pasur dijeni, pasi i huaji u ka thënë se ishte 19 vjeç, ndaj edhe e kishin marrë në punë për ta ndihmuar financiarisht.
"E kam mbajtur njëjtë si djemtë e mi,"-thotë Aleksandër Pashuku.
Sipas tyre, të miturin e kanë takuar rastësisht një lokal pranë banesës së tyre dhe i kanë ofruar strehë. E gjithë historia, sipas tyre, është "pleksur" nga i huaji që i ka hedhur në gjyq me qëllim që të kërkojë azil në shtetin tonë dhe të bashkohet me familjen e tij në Greqi. Por pretendimet e tyre, ende nuk janë provuar nga institucionet e drejtësisë.
Teksa hetimet vazhdojnë, familja Pashuku kërkon drejtësi për të arrestuarin Alehandro Pashuku dhe të shpallurin në kërkim, duke vënë theksin tek fakti se ishin nisur për të ndihmuar një emigrant, të cilin në asnjë moment nuk e kanë shfrytëzuar. Për të forcuar pretendimet e tyre, kanë ndarë edhe foto që kanë shkrepur me të nëpër lokalet në Shkodër./ZËRI