DEVOLL- Një 60-vjeçar nga fshati Kurilë i Devollit është gjetur i pajetë mëngjesin e kësaj të enjteje në një lumë në zonën e Vishocicës.
Sipas informacioneve paraprake, ai kishte shkuar për vizitë tek disa të afërm dhe sipas dëshmive, mbrëmjen e kaluar kishte qëndruar deri vonë në një lokal të fshatit. Dyshohet se, teksa po kthehej për në banesë, ka humbur ekuilibrin duke kaluar mbi një urë dhe ka rënë aksidentalisht në lumë.
Burime nga grupi hetimor, bazuar edhe në dëshminë e disa personave që kanë qenë me të në lokal, 60-vjeçari ndodhej në gjendje të dehur.
Nga verifikimet paraprake në vendngjarje, policia dyshon se kemi të bëjmë me një aksident, ndërsa trupi i pajetë është dërguar për ekspertizë mjeko-ligjore, e cila pritet të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes.
Ndërkohë, policia vijon hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes./ZËRI