Aktualitet

E rëndë në Shkodër, dy vëllezërit Doçi mësyjnë në komisariatin e policisë, dhunojnë efektivin e Shqiponjave

Pronari i mjetit, shtetasi Marjan Doçi, i cili ka qenë i përfshirë më herët në një përplasje me armë, ka hyrë në ambientet e komisariatit dhe ka dhunuar efektivin e “Shqiponjave”

E.K
E rëndë në Shkodër, dy vëllezërit Doçi
Foto ilustruese

SHKODËR- Një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur në komisariatin e policisë së Shkodrës, ku një efektiv i forcave Shqiponja, është dhunuar brenda ambienteve të policisë. Burime bëjnë me dije për ZËRI-n, se dy vëllezërit Marjan dhe Mateo Doçi, kanë mësyrë në ambientet e komisariatit dhe kanë qëlluar me grusht efektivin e Shqiponjave, i cili ka qenë në detyrë. Shkak për këtë ishte bërë ndalimi dhe kontrolli në mesditë i një mjeti që rezulton të ishte në pronësi të tyre.

Marjan Doçi, një shtetas me precedent të mëparshëm penal, së bashku me vëllanë e tij, dhe të afërm të tjerë të tyre, kanë shkuar në komisariatin e Policisë së Shkodrës, ku kanë dhunuar efektivin, ndërsa ngjarja është mbajtur e fshehtë, nga vetë blutë e qytetit verior.

Sipas denoncimeve në media, rreth orës 14:00, njësia "Shqiponjat" ndaluan një automjet dhe e shoqëruan në komisariat, për shkak se personi që gjendej në të, nuk i ishte përgjigjur urdhrit të policisë, dhe ka tentuar të largohet me vrap. 

Por kjo duket se ka ‘shqetësuar’ pronarin e mjetit, i cili ka guxuar që të dhunojë efektivin e policisë, brenda ambienteve të komisariatit. Po ashtu menjëherë pas ngjarjes, drejt komisariatit janë nisur dhe pjestarë të tjerë të fisit Doçi, po janë ndaluar që të hyjnë në ambientet e brendshme.

Tashmë që ngjarja është bërë mediatike, dy vëllezërit Doçi janë vënë në pranga nga policia, ndërsa një 19-vjeçar po hetohet në gjendje të lirë.

NJOFTIMI I POLICISË

Gjatë patrullimit të zakonshëm në sheshin “Prek Cali”, punonjësit e Policisë të Forcës së Posaçme “Shqiponja” kanë konstatuar një automjet dhe i kanë bërë me shenjë që të ndalonte, për të ushtruar kontroll për sende të kundërligjshme. Automjeti drejtohej nga shtetasi E. L., 19 vjeç. 

Gjatë kontrollit fizik ndaj 19-vjeçarit, ky shtetas ka tentuar të largohet me vrap, por është kapur dhe ndaluar nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”.

Në momentin e shoqërimit të automjetit, shërbimet e Policisë janë kundërshtuar me forcë nga shtetasit M. D., 29 vjeç dhe M. M. alias M. D., 38 vjeç (vellezër), të cilët kanë kryer veprime të dhunshme gjatë shoqërimit të automjetit dhe në ambientet e brendshme të Drejtorisë Vendore.  

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme./ZËRI

Poll

MOS HUMB