
TIRANË- Rafije Abedini është gjetur e vdekur këtë të hënë në banesën e saj në zoinën e "21 Dhjetorit" në Tiranë. Raportohet se në fytyrë ajo ka pasur shenja gërvishtjeje. Policia ka nisur hetimet në lidhje me ngjarjen e rëndë dhe për të zbuluar shkakun e vdekjes së gruas. Sipas dëshmisë së vajzës Rafije Abedini vuante nga sëmundje të shumta, ndërsa kishte hequr edhe gjirin nga kanceri.
Ajo shton se pjesa e djathtë e fytyrës së nënës së saj ishte e nxirë, ndërsa prej një jave ka qenë e vetme në shtëpi dhe prej dy javësh thuajse nuk lëvizte fare. Viktima, sipas vajzës së saj i ka pasur shenjat edhe më herët, por i janë theksuar javën e fundit.
Njoftimi i policisë:
Më datë 13.05.2024, rreth orës 13:30, në rrugën "Sulejman Pitarka", ka ndërruar jetë në banesën e saj shtetasja R. A., 73 vjeçe, e cila nga verifikimet paraprake rezulton se kohët e fundit kishte shfaqur probleme shëndetësore dhe vuante nga disa sëmundje të ndryshme. Nga veprimet e para hetimore, të kryera në vendngjarje, rezulton se shtetasja R. A., është rrëzuar disa ditë më parë dhe nuk ka dëmtime ose shenja dhune. Paraprakisht dyshohet se vdekja ka ardhur nga shkaqe natyrale, por për të përcaktuar në mënyrë përfundimtare shkakun e vdekjes pritet ekspertiza e thelluar nga IML./ZËRI