
TIRANË- Kreshnik Drishti, është shpallur në kërkim këtë të hënë nga Policia e Tiranës pasi akuzohet se merrte makina me qira dhe më pas i shiste tek persona të tjerë. Raportohet se me anë të kësaj skeme, Drishti ka marrë disa makina luksoze me qira dhe nuk i ka kthyer. Shitjen e kryente me bazë noteriale, të cilën e siguronte tek noterja Xhoana Omari.
Sipas Policisë së Tiranë, e cila tashmë ka shpallur në kërkim 37-vjeçarin, kontratat ishin të rregullta dhe tek shitësi vendosej firma e pronarit real të makinës, e cila falsifikohej. E pyetur nga Policia, noterja ka deklaruar se nuk e kishte idenë se kontratat ishin me firmë të falsifikuar. Ndër të tjera Omari shprehet,se Drishtin, e kishte klient dhe kishin shumë kohë që bashkëpunonin dhe kishte krijuar besim.
Ajo po hetohet në gjendje të lirë, ndërsa Drishti është shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi ka dyshime se ka dalë jashtë vendit. Denoncimet kundër tij kanë ardhur nga disa qytete të vendit./ZËRI