
DURRËS- Të paktën dhjetë persona janë shoqëruar në komisariat për tu marrë në pyetje si persona që mund të ketë informacione rreth tritolit që u vendos në shtëpinë e Ilir Koçiljas, personit që vrau me thikë Halil Kokën, nipin e ish-ministrit Lefter Koka, që ndodhet pas hekurave.
Tre ditë më parë në murin e banesës së Koçiljas ishin shkruar dhe fjalët “Endacaku vrasës”. Mbishkrimi u shoqërua nga vendosja e një sasie lënde plasëse që ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, por asnjë person nuk është ndaluar.

Sipas pamjeve filmike të marra nga kamerat e sigurisë, autori është një person rreth 1.75 m i gjatë, veshur me të zeza, ndërkohë që në kokë mban kapuç dhe kapele.
Ilir Koçilja ndodhet në burg. Ai vrau me thikë në zemër fqinjin e tij, Halil Koka. Sherri mes tyre nisi në oborrin e pallatit për parkimin e një makine e më pas u zhvendos përpara shkollës 9-vjeçare “Jusuf Puka”. Pas përplasjes fizike mes tyre, 46-vjeçari tentoi të largohej me vrap, por u ndoq nga Koçilja, i cili e qëlloi dy herë me thikë. Në polici, Kocilja është shprehur se nuk kishte pasur për qëllim ta vriste dhe se kishte menduar se vetëm e kishte plagosur.