
TIRANË- “Lajmi i mirë” që u propagandua kudo nga Banka e Shqipërisë, se të gjithë ata që kanë rënë pre e skemës së mashtrimit të mikrokredive, duket se ka qenë vetëm një farsë që të qetësonte qytetarët që janë në listën e kredive të këqija.
Por, kanë mjaftuar vetëm dy tentativa për të rrëzuar këtë lëvizje të Bankës së Shqipërisë që synonte tu ‘qepte’ gojën qytetarëve që të dëshpëruar kërkonin të gjenin një zgjidhje. Hike Laci, zonja që rrëfeu rastin e saj pranë ZËRIT u adresua nga gazetarja që të paraqitej pranë Bankës së Shqipërisë në mënyrë që të plotësonte një formular ankimimi.
Por, aty u prit me këmbët e para!
Hike Laci u orientua në një tjetër zyrë që nuk mbante as emër dhe as tabelë, që ndodhej përballë Tajvanit. Aty e plotësoi formularin e ankimit, por vetëm pak ditë më vonë, iu kthye kurrizi!
Në një përgjigje zyrtare, Banka e Shqipërisë i drejtohet Hike Lacit dhe i shkruan se procedurat e ndjekura nga përmbaruesit, janë përtej kompetencave dhe funksioneve të Bankës së Shqipërisë në rolin e autoritetit mbikëqyrës të sistemit bankar.
Përgjigjia zyrtare:
Referuar ankesës tuaj drejtuar Bankës së Shqipërisë, ku ju shprehni ankesën tuaj në lidhje me bllokimin e llogarisë tuaj pranë Bankës Raiffeisen ju informojmë si më poshtë: Procedurat e ndjekura nga përmbaruesit, janë përtej kompetencave dhe funksioneve të Bankës së Shqipërisë në rolin e autoritetit mbikëqyrës të sistemit bankar, në bazë të dispozitave të ligjit nr.8269, datqë 23.12.1997 "Për Bankën e Shqipërisë", ligjit nr.9662, datë 18.12.2006 "Për bankat në Republikën e Shqipërisë", si dhe akteve nënligjore të nxjerra në zbatim të tij. Për sa më sipër ankesa juaj është përtej kompetencave të Bankës së Shqipërisë.
Drejtor Deniz Deralla

Dhe siç shihet, në këtë përgjigje, qytetarja nuk orientohet në institucionet e drejtësisë, por thjesht ‘përcillet’!
Në fakt, qytetarja Hike Laci nuk kërkon që Banka e Shipërisë të zhbëjë një vendim të përmbaruesve.
Hike Laci sot gjendet në një situatë mjaft të vështirë, ajo as nuk punësohet dot diku pasi i është bllokuar llogaria bankare dhe për rrjedhojë është në kushte mbijetese. Bashkëshorti i Hike Lacit, Liman Laci ka marrë një kredi konsumatore tek Raiffeisen Bank, të cilën e ka shlyer, por vite më vonë, është telefonuar nga Micro Credit Albania dhe sot i kërkohen 18 milion lekë. Pa harruar këtu dhe faktin që Hike Laci nuk mund të bëjë asnjë lëvizje në llogarinë bankare, pasi i sekuestrohen nga përmbaruesit.
Pra, problemi i zonjës Laci është me Micro Credit Albania, një institucion që nuk operon më në tregun shqiptar, pasi Prokuroria lëshoi nëntë masa sigurie dhe dosjet e të cilit janë në duart e Bankës së Shqipërisë dhe nuk ka se si të mos jetë kompetencë e këtij institucioni!
Por, zonja Laci nuk është e vetmja. ZËRI ka raportuar edhe për Vladimir Kamberin, një qytetar që gjithashtu gjendet në kryqëzim dhe pa zgjidhje për shkak të një kredie të keqe. Por, nëse zonjën Laci të paktën e konsideruan dhe i dërguan një shkresë, Ladin nuk e kanë konsideruar fare!
-
-
Skandali me mikrokreditë, kush ka përgjegjësi?
23 Maj, 18:52
Pasi i është bërë një kontroll i imtësishëm dhe i është marrë telefoni, Ladi është përzënë duke i thënë të shkojë në disa zyra inekzistente në “Rrugën e Dibrës” dhe “Rrugën e Barrikadave”.
-
Qytetarët zhvaten çdo ditë nga mikrokreditë, BSH mbyll veshët
4 Qershor, 17:38
Përfundimi: Thirrja e Bankës së Shqipërisë është një blof i madh, nuk ka asnjë zgjidhje për këta qytetarë!
Të vetmet lëvizje që po shohim deri tani janë ato nga Prokuroria e Tiranës, masa sigurie, qofshin këto ‘arrest me burg’ dhe ‘arrest shtëpie’ apo sekuestrim të llogarive bankare që janë në emër të administratorëve të institucioneve mikrofinanciare apo përmbaruesish privatë. por, për viktimat e vërteta të kësaj skeme, deri më tani nuk ka asnjë zgjidhje, ka mesazhe boshe nga institucionet që duhet të kishin marrë masa paraprake për këtë skemë piramidale si dhe orientime rëndim të situatës së tyre financiare.
Dosjet të ndryshme përcillën nga Ministria e Drejtësisë tek Prokuroria, ndërsa Banka e Shqipërisë ‘hedh topin’ kudo, vetëm përgjegjësi nuk mban!