TIRANË-Qindra qytetarë në Lushnjë e Divjakë ranë pre e mashtrimit të platformave piramidale online, duke humbur mijëra euro me shpresën e një investimi të përjetshëm. ZËRI mësoi se skema është aq masive në Lushnje, ku ishte hapur edhe një lokal që mban si logo emrin e lojës dhe afrohen fermerët për të bërë blerjet në skemën piramidale. Të paktën 900 qytetarë që kanë rënë pre e mashtrimit në Lushnje, Divjake, e Fier.
Në dosjen hetimore siguruar nga redaksia, bar-restoranti “La Bonta” në qytetin e Lushnjës, figuron në pronësi të 38-vjeçarit Arbër Çela, i njohur si 'Profesori', i arrestuar gjatë operacionit të zhvilluar në lidhje me firmat piramidale online TXEX dhe XEUX. Lokali i tij ishte kthyer në bazën e mashtrimit ku familjarë e fermerë, investonin shumat e majme të joshur nga reklamat në derën e biznesit. Kamarierët e tij përveç shërbimit, bënin dhe rolin e agjentit për të udhëzuar pjesëmarrësit e rinj dhe në orientimin e tyre përmes grupeve në aplikacione si Telegram.
Por në dëshminë e dhënë para hetuesve vetë pronari e kalon 'topin' tek kamarierët dhe rrëfen se platformën ja ka sugjeruar nipi i tij që ndodhet jashtë shtetit. Profesori deklaron se ai është po ashtu viktimë e këtij mashtrimi dhe mohon akuzat edhe lokali i tij ishte baza e firmës piramidale. 38-vjeçari pohon se ai vetë bashkë me motrën dhe bashkëshorten kanë investuar në platforma rreth 2 mijë dollarë dhe kanë përfituar 6 mijë. Lekët i ka tërhequr në Kosovë. Pronari i “La Bonta” thekson se platformën e ka menaxhuar vetë.
Arbër Çela: Unë kam investuar vetëm në platformën Xuex, në Txex jo dhe më ka sugjeruar nipi im Veiz Cani i cili jeton jashtë shtetit. Të gjitha ti mëson vet Joana dhe profesor Smith. Dua të them se të gjitha procedurat unë i kam mësuar nga grupi ku i dërgonin Joana dhe Leo Smith, me video. Unë kam bërë 2300 dollarë investim në fillim dhe se kjo është shuma që unë kam investuar vetëm 2300 dollarë. Unë kam investuar rreth datës 10 ose 11 Prill të këtij viti, pra 2025 dhe kam tërhequr, rreth 8-9 mijë USD. Unë këto para i kam tërhequr në Prizren, Kosovë. Kam shkuar vetëm një herë atje dhe ka qenë dje. Unë nuk kam ftuar njeri, por familjarët e mi kanë kërkuar vet të hyjnë. Këta persona janë familjarët e mi motra Amarilda Cela, bashkëshortja Manjola Dakaj, kushëri imi shtetasi Xhulio Doko. Dua të them se unë kam fituar në total aq diku tek 6 mijë dollarë, nga ky investim prej 2 000 dollarë që kam futur. Unë e kam menaxhuar vet platformën dhe nuk e ka menaxhuar askush tjetër.
Në dosjen e siguruar nga ZËRI, Çela zbërthen gjithë skemën, duke sqaruar se të dhenat i mori në aplikacionin Telegram, ku tregohej qartë se si investohej nëpërmjet videove ilustruese. Sipas tij ai nuk ka mashtruar dhe detyruar askënd të investojë lekë në platformat piramidale dhe nuk ishte në djeni se çfarë bënin kamarierët e tij gjatë orarit të punës, apo bisedat e tyre mes qytetarëve.
Arbër Çela: Dua të them se siç e shpjegova edhe në deklarimin tim të mëparshëm, unë rashë në dijeni nga njerëz të ndryshëm, që në qytetin e Divjakës ekzistonte një platformë e quajtur “Xuex”, që hapej nëpërmjet aplikacionit Telegram. Mënyra e instalimit të kësaj platforme në telefon dhe vazhdimësia e saj, unë i mora nga sqarimet që jepeshin në aplikacionin Telegram, se si hapeshin dhe se si investohej në to, nëpërmjet videove ilustruese. Sinjalet vinin dy herë në ditë në orare të caktuara nga profesor Leo Smith, ku pasi të shpjegonte mënyrën dhe të bënte moralin e vet, njoftonte në një farë mënyre se sinjali tregëtar kishte ardhur dhe ne thjesht bënim konfirmimin, në platformën Xuex. Duke më parë mua familjarët e mi, që isha pjesë në këto platforma, shprehën dëshirën dhe kërkuan që të futeshin dhe ato në këtë aplikacion me llogaritë e tyre personale. Theksojë se nuk jam unë personi që mund të kem mashtruar të tjerët, por unë jam i mashtruar vet nga kjo platformë, pasi unë as kam detyruar dhe as kam pasur mundësi që të implikoja persona të tjerë për ti bërë pjesë të kësaj platforme. Përsa i përket veprimit të simuluar që ju po më citoni se është kryer në ambientet e biznesit tim, me kamarierët e lokalit, dua të sqaroj se unë nuk kam asnjë dijeni për veprimet që bëjnë ata në telefonat e tyre, apo biseda që bëjnë me klient të ndryshëm që frekuentojnë lokalin tim, në këtë rast edhe me agjentët e policisë, sepse mendoj se ata bëjnë punën e tyre dhe shesin produktet e lokalit. Unë ndihem shumë keq që ndodhem këtu, sepse unë jam një ndër personat që jam i gënjyer dhe i mashtruar nga kjo platformë.
Në pranga bashkë me Arbër Çelën janë vendosur edhe Emanuel Taullau 21 vjeç, Flavio Mukaj 23 vjeç, Marius Kodra 28 vjeç, Brunilda Todi 38 vjeçe dhe Brunilda Ndini 38 vjeçe. Në kërkim janë shpallur Alma Shebeku dhe Ereledio Shebeku (burrë e grua).
Dy platformat TXEX dhe XEUX paraqiten si aplikacione investimi në kriptovaluta dhe shpërndahen në disa rrjete sociale, ku më kryesori është në Telegram. Numri i qytetarëve që kanë shkarkuar këtë platformë dhe kanë investuar para raportohet të jetë gati 6 mijë. ZËRI u interesua nga afër ku banorët e Divjakës treguan me detaje se si investojnë lekët dhe rrugën që ndjekin nga regjistrimi në platformë deri tek mënyra si i tërheqin lekët. Ndërkohë, organizatorët e këtij aktiviteti kriminal vijojnë të jenë nën hetim nga policia shqiptare dhe asnjë prej tyre nuk është arrestuar./ZËRI