
TIRANË- Evis Berberi, drejtori i ARRSH-së, do të njihet sot me masën e sigurisë. Në orën 13.00, ai do të paraqitet me pranga në duar, për t'u njohur me vendimin që do të marrin togat e zeza të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Po ashtu, bashkë me të do të paraqiten edhe 2 bashkëpunëtorët e tij, Valter Begaj dhe Ervis Lamaj.
Berberi u arrestua dy ditë më parë, pasi akuzohet për “Korrupsion” dhe “Pastrim parash”. Me dyshimet për të njëjtat vepra penale, ndërsa në gjendje të lirë po ndiqet dhe Brunilda Bulo, bashkëpunëtore e tyre, e cila nuk është arrestuar për shkak se është nënë e një fëmije të mitur. Skema për përvetësimin e parave është bërë nëpërmjet dy kompanive “Net Group” dhe “Daam”. Kompanitë u blenë dhe u shitën mes 4 të përfshirëve në dosje, madje dhe nga vetë Berberi, i cili më pas, shpallte fituese kompanitë e tij në disa tendera publikë të shpallur nga Agjencia për Efiçencën e Energjisë dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Shuma e përvetësuar u përllogarit 2.3 milionë euro. Por po ashtu, nga kontrolli i ushtruar në banesën e Berberit u gjetën piktura të shtrenjta si dhe vlera monetare që kapin shumën e 4 milion lekëve./ZËRI