GJIROKASTËR- Një zjarr ka përfshirë pasditen e kësaj të shtune kuzhinën e një hoteli në lagjen 18 Shtatori në Gjirokastër, por ndërhyrja në kohë e shërbimit zjarrfikës ka parandaluar përhapjen e flakëve në ambientet e tjera.
Shërbimi i MZSH-së Gjirokastër është njoftuar rreth orës 15:03 për situatën, ndërsa një grup zjarrfikësish është nisur menjëherë drejt vendngjarjes.
Me mbërritjen në hotelin 'Garden' efektivët kanë konstatuar se zjarri kishte rënë në ambientin e kuzhinës. Flakët janë neutralizuar duke përdorur fikëse pluhuri dhe ujë duke bërë të mundur izolimin dhe shuarjen e plotë të zjarrit.
Nga verifikimet paraprake dyshohet se shkak i zjarrit është bërë një pajisje gazi mbi të cilën ishte vendosur një tenxhere për ngrohjen e ujit dhe që kishte mbetur e ndezur.
Fatmirësisht incidenti është shoqëruar vetëm me dëme të vogla materiale. Ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikësve ka bërë të mundur që flakët të mos përhapen në pjesët e tjera të hotelit./ZËRI