Aktualitet

"Fola me Visin për porosinë, ishalla po bëhen"/ MESAZHET që fundosën Evis Berberin, detaje nga dosja për TENDERIN

Aty nga ku u zbuluan edhe komunikimet midis tij, Evis Berberit, Valter Begaj dhe Brunilda Bulit. Biseda të cilat nuk linin asnjë hamendësim sipas SPAK, se Evis Berberi ishte pronari de fakto i kompanisë ‘DAAM’ dhe e kontrollonte atë në mënyrë të tërthortë, teksa si zyrtar i lartë në administratë çonte para në llogaritë e tij nga taksat e qytetarëve shqiptarë.

a.l
"Fola me Visin për porosinë, ishalla po bëhen"/
Ervis Berberi

TIRANË- Për hetimet e korrupsionit dhe pastrimit të parave të cilat nisën në shtator të vitit 2023, SPAK iu desh të sekuestronte, celularët e drejtorit tashmë të arrestuar të ARRSH, Evis Berberi. Një oficer i Byrosë Kombëtare të Hetimit, vuri më pas në lëvizje Prokurorinë. Por ajo çka e fundosi drejtorin e ARRSH, ishte zbërthimi i celularit Samsung, S 23 Ultra, në posedim të Ervis Lamit. Aty nga ku u zbuluan edhe komunikimet midis tij, Evis Berberit, Valter Begaj dhe Brunilda Bulit. Biseda të cilat nuk linin asnjë hamendësim sipas SPAK, se Evis Berberi ishte pronari de fakto i kompanisë ‘DAAM’ dhe e kontrollonte atë në mënyrë të tërthortë, teksa si zyrtar i lartë në administratë çonte para në llogaritë e tij nga taksat e qytetarëve shqiptarë.

‘Viso please meqenëse more lejen dhe ndoshta shiheni nesër te zyra. Aplikimin për vete dhe ‘DAAM’ se do të futemi dhe me ‘DAAM’, te procedura e fondit, etj", thuhet në dosjen e siguruar.

Nga hetimet e SPAK rezulton se nga llogaria bankare e shoqërisë “DAAM”, Berberi ka pasur akses madje me anë të llogarisë bankare të kompanisë ka kryer mbi 150 pagesa. Për të provuar këtë fakt, Prokuroria e Posaçme e ka siguruar nga një shkresë e mbërritur nga një bankë e nivelit të dytë ku në të shkruhet se këtë akses e ka pasur shtetasi Evis Berberi. SPAK thotë se nëpërmjet një adrese të "Aj-Pije" në datat 11, 14 dhe 15 Gusht 2023 kjo llogari bankare e “DAAM” shpk është aksesuar edhe në shtetin turk.

"Më datën 7 Gusht 2023 Evis Berberi ka dalë nga Shqipëria me “Charter” dhe po me “Charter” ka hyrë në vendin tonë me datën 16 Gusht të vitit 2023 ku Berberi ka qenë me pushime në një nga resortet e plazheve të Turqisë,"-shkruhet në dosje.

Nga data 11 gusht e deri më 15 gusht 2023 Valter Begaj, Ervis Lami dhe Denis Rama, që kanë pasur të drejtë të kryejnë veprime tek llogaria “DAAM” shpk kanë qenë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Pra karta e kompanisë dhe llogaria bankare ka qenë në akses të plotë nga ana e Evis Berberit.

MESAZHET:

“16 gusht 2021 Brunilda Buli i shkruan Ervis Lamit Më fal që po të shkruaj në këtë orë. Doja të pyesja. Kemi hyrë në ndonjë tender në Kavajë me ‘DAAM’. Se kishte marrë babin tim në telefon njëri në Kavajë dhe i kishte thënë që ka një gabim në letra, thuhet në dosjen e siguruar nga "Në Shënjestër" në News24. 

Ervisi i përgjigjet: Po, po. Sot kemi dorëzuar letrat. Në dijeninë time dokumentet kanë qenë në rregull.

Brunida i shkruan: Po çfarë tenderi është?

Ervis i dërgon sms: Është një objekt për realizimin e projekteve të ngrohjes me kaldajë, në 4 objekte”.

Por gjatë kësaj kohe nga zbërthimi i celularit të Ervis Lamit, dalin edhe komunikime të tij me biznesmenin Valter Begaj, biseda që janë kryer nëpërmjet aplikacionit ‘ëhats app bussines’.

Biseda 24 Shkurt 2020. Valter Begaj i dërgon Ervis Lamit 4 materiale në dukje si fotografi. Valteri i shkruan Ervisit: Kontratë me ‘DAAM’ dhe aplikim për licencë.

Ervisi: Po Valo e di, e kam bërë si draft kontratë.

19 mars 2020

Valter Begaj i shkruan Ervis Lamit:

‘Viso please meqenëse more lejen dhe ndoshta shiheni nesër te zyra. Aplikimin për vete dhe ‘DAAM’ se do të futemi dhe me ‘DAAM’, te procedura e fondit, etj.

Valteri i shkruan Ervis Lamit: ‘Fola me Visin meqënëse i njeh të bëjë me shpejt për të dyja. Visin tjetër, atë të aeroplanit.

Ervis Lami i përgjigjet Valter Begaj

‘Po, po fola me të. Ja tani do ja çoj’.

Ervis Lami: Nesër po je të shohim dhe dokumentat për ‘DAAM’.

Sipas bisedave Visi tjetër, gjatë bisedës midis Valter Begaj dhe Ervis Lamit, rezulton të jetë Ervis Berberi, drejtor i Autoritetit Rrugor, ku ky i fundit kapet duket biseduar me Ervis Lamin, duke e orientuar se si të veprojë në lidhje me tenderin ku ‘DAAM’ do të marrë pjesë dhe dokumentet që duhet të plotësojë, nga vihet re se Evis Berberi do e ndihmojë në OSSHE. 

“19 mars 2020. Evis Berberi i dërgon sms Ervis Lamit

‘Të duhet vërtetimi nga OSHEE? Më dërgo kontrata, libreza dhe ID të Valterit t’i bëjmë dhe vete i merr’.

22 mars 2020

Ervis Lami i dërgon sms Valter Begaj:  ‘Kjo goca qenka e trembur. I kërkova dokumentet dhe s’mi ka nis ende. Se e kishte me merak. Kjo e jona e ‘DAAM’. Admini’

Valter Begaj: Kush mo? Ne sikur s’kemi të trembur.

Valter Begaj: I thuaj Visit (Evis Berberi) ta ç’trembë se e ka shoqen e Adelës (bashkëshortja e Berberit).

Ervis Lami: Tallesh, ja ta marr.

Në një tjetër bisedë Ervis Lami dhe Valter Begaj flasin për një tërheqje bankare, por që shkresën duhet ta firmosë Ministri i Jashtëm. Ndërkohë që më tej të dy i konfirmojnë njëri-tjetrit se paratë kanë kaluar, dhe duhen tërhequr.

 “23 mars 2020. Biseda mes Ervis Lamit dhe Valter Begaj.

Valter Begaj: ‘Ja bëra tekstin ministrit të Jashtëm’.

Ervis Lami: ‘Po ishalla po bëhen’.

Valter Begaj: ‘Fola ndërkohë me Visin dhe për kujtesë i nisa atij tekstin për porosinë ndërkohë’.

Ervis Lami:Ok, në rregull’.

24 mars 2020

Ervis Lami bisedon me Valter Begaj.

Valteri i dërgon dy fotografi, dhe më pas i shkruan:Të shkoj t'i marr. Këtë shkruan ministri’.

‘Ai se rr….Më don se e bën kur e ka në dorë’.

Ervis Lami:E rëndësishme është që na e mbylli’.

Mes 3 të arrestuarve dhe Brunilda Bulit ka qindra mesazhe të zbardhura në dosjen hetimore, ku ata flasin për tendera. Evis Berberi akuzohet se firmosi 6 tendera në favor të ish- ortakut të tij Valter Begaj, 3 prej të cilëve kur ishte në kreu të Agjencisë së Evidencës së Energjisë dhe 3 kur drejtonte Autoritetin Rrugor. Më paratë e dyshuara si ryshfet, ai investoi dhe bleu sipërfaqe të mëdha toke në fshatin Mangull të Tiranës.

GJKKO ka lënë në burg Evis Berberin dhe 2 biznesmenët, Valter Begaj dhe Ervis Lami. Berberi akuzohet për “Korrupsion” dhe “Pastrim parash”. Me dyshimet për të njëjtat vepra penale, ndërsa në gjendje të lirë po ndiqet dhe Brunilda Bulo, bashkëpunëtore e tyre, e cila nuk është arrestuar për shkak se është nënë e një fëmije të mitur. Skema për përvetësimin e parave është bërë nëpërmjet dy kompanive “Net Group” dhe “Daam”. Kompanitë u blenë dhe u shitën mes 4 të përfshirëve në dosje, madje dhe nga vetë Berberi, i cili më pas, shpallte fituese kompanitë e tij në disa tendera publikë të shpallur nga Agjencia për Efiçencën e Energjisë dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar. Shuma e përvetësuar u përllogarit 2.3 milionë euro. Por po ashtu, nga kontrolli i ushtruar në banesën e Berberit u gjetën piktura të shtrenjta si dhe vlera monetare që kapin shumën e 4 milion lekëve./ZËRI

Poll

MOS HUMB